Bota Postuar më 1 Shkurt 2025, 12:43

“Më shumë fonde për ushtrinë”- BE i bën thirrje Bankës Evropiane të Investimeve të shtojë financimet

Nga Kristi Ceta

“Më shumë fonde për ushtrinë”- BE i bën

Nëntëmbëdhjetë vende të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kërkojnë që Banka Evropiane e Investimeve të rrisë huadhënien për industrinë e mbrojtjes.

Thirrja, me anë të një letre të përbashkët, vjen përpara bisedimeve të liderëve të BE-së mbi të ardhmen e sektorit të mbrojtjes, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, këmbëngul me kërkesën që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet për ushtrinë.

Banka Evropiane e Investimeve, në pronësi të qeverive të bllokut, nuk lejohet të financojë prodhimin e municioneve, armëve ose pajisjeve ushtarake. Për të hequr ndalimin, shumica e qeverive duhet të bien dakord dhe disa vende kanë shprehur dyshime. Banka mund të japë hua për produkte me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak, të tilla si satelitët, dronët ose sistemet e radarëve.

Shtetet kryesore, ku ndër të tjerat përfshiheshin Finlanda, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia e Spanja nënshkruan një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian duke kërkuar rishikim të listës së aktiviteteve të përjashtuara. Gjithashtu, ato i bënë thirrje institucionit të konsiderojë emetimin e bonove për mbrojtjen.

Por disa qeveri të BE-së, veçanërisht vendet neutrale si Austria, Irlanda apo Malta, janë të shqetësuara se financimi i mbrojtjes mund të rrezikojë kapacitetin kreditues të Bankës dhe të mos zgjidhë problemin, i cili sipas tyre nuk është mungesa e fondeve, por kontratat afatgjata. Institucioni është gjithashtu një lojtar kyç në financimin e tranzicionit ambicioz të Evropës drejt një ekonomie me karbon neto zero e të digjitalizuar, dhe shtimi i armëve në listën e investimeve mund të trembë investitorët.

Banka planifikon një dyfishim të fondeve të sigurisë në 2 miliardë në 2025. Ndërsa Komisioni Evropian vlerëson se sektori i mbrojtjes i BE-së ka nevojë për 500 miliardë euro gjatë 10 viteve të ardhshme.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat