Bota Postuar më 9 Gusht 2025, 10:49

Marrëveshja BE-SHBA, disa sektorë “nën mjegull” - Çfarë do të ndodhë me automjetet, farmaceutikën, metalet dhe mikroçipet?

Nga Kristi Ceta

Marrëveshja BE-SHBA, disa sektorë “nën mjegull” -

Marrëveshja tregtare e Evropës me SHBA-në për tarifa prej 15% mbi një gamë të gjerë produktesh krijon ndikime të menaxhueshme për kompanitë, por nuk adreson pasiguritë specifike për grupet e biznesit të BE-së. Marrëveshja e Brukselit me Donald Trump lë shumë pikëpyetje për sektorë të veçantë, sidomos për industrinë e automobilave, farmaceutikën, minierat dhe kompanitë e mikroçipeve. Këta katër sektorë priten të jenë subjekt i masave të ndryshme, me ndikime përkatëse, sipas një raporti të ri të agjencisë së vlerësimit S&P Global Ratings.

Si rreziqe shtesë indirekte, por të rëndësishme, agjencia identifikon përkeqësimin e kushteve globale të tregtisë për shkak të tarifave, pasigurinë e përgjithshme të tregut, ndërprerjet e mundshme në zinxhirët e furnizimit, tensionet gjeopolitike dhe dobësimin e dollarit. Një euro më e fortë e bën eksportin e produkteve evropiane më pak konkurrues për vendet jashtë eurozonës dhe veçanërisht për SHBA-në, që së bashku me Kinën përbën tregun më të madh në botë. Këto pesë rreziqe pritet të ushtrojnë presion më të madh mbi grupet korporative evropiane sesa vetë tarifat.

Taksat prej 15% mbi eksportet e BE-së për në SHBA, të shpallura më 27 korrik, janë ndjeshëm më të ulëta se 30% që do të ishin aplikuar në mungesë të marrëveshjes tregtare para 1 gushtit. Edhe pse ky pakt është një shenjë e një marrëdhënieje tregtare transatlantike të menaxhueshme nëse Bashkimi Evropian tregon fleksibilitet ndaj kërkesave amerikane, ai nuk është ende i detyrueshëm ligjërisht dhe duket se ka interpretime të ndryshme për disa pika. Ndaj, agjencia nuk pret që një draft ligjor të jetë gati së shpejti.

“Tarifa 15% nuk është një kufi i garantuar për të gjithë sektorët e BE-së. Vazhdon të ketë pasiguri të konsiderueshme lidhur me trajtimin e disa industrive. Ratifikimi ligjor i marrëveshjes kërkon që ajo të publikohet në Regjistrin Federal të SHBA-së dhe të miratohet nga blloku. Kjo sjell pasiguri për kohën kur tarifa 15% do të hyjë në fuqi për sektorë të caktuar, si industria e makinave, që për momentin paguan ende një detyrim prej 27.5%. Po ashtu, masa 50% për eksportet e çelikut, aluminit dhe bakrit në SHBA mbetet ende në fuqi për momentin,” thuhet në raport.

Marrëveshja pritet të ndihmojë në reduktimin e pasigurisë për bizneset në BE dhe të zbusë disa nga rreziqet e mëdha që lidhen me politikat amerikane. Megjithatë, situata aktuale ka ulur besimin e ndërmarrjeve dhe parashikimet për të ardhurat dhe fitimet në shumë sektorë të BE-së. Në njoftimet e rezultateve për tremujorin e dytë, disa kompani kanë rishikuar në ulje pritshmëritë e tyre për vitin aktual, thuhet më tej në raport.

Live TV

Të fundit
Shqipëria 16 Shkurt Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka regjistruar luhatje të konsiderueshme për gjatë kësaj fundjave teksa është blerë këtë mëngjes me 80.8 lekë dhe është shitur me 81.8......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 16 Shkurt Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka regjistruar luhatje të konsiderueshme për gjatë kësaj fundjave teksa është blerë këtë mëngjes me 80.8 lekë dhe është shitur me 81.8......