Bota Postuar më 11 Dhjetor 2025, 09:28

Makinat me djegie të brendshme rikthehen në “modë” - Shkak, tensionet politike dhe tregtare, dyshimet ndaj automjeteve elektrike

Nga Kristi Ceta

Makinat me djegie të brendshme rikthehen në “modë” -

Blerësit e makinave në mbarë botën po kthehen tek automjetet me djegie të brendshme për shkak të ndryshimeve në politika, luftërave tregtare dhe skepticizmit në rritje mbi infrastrukturën dhe kostot e automjeteve elektrike. Të dhënat janë reflektuar në një raport të grupit të shërbimeve profesionale EY.

Për të lehtësuar shitjet e makinave me benzinë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, javën e kaluar propozoi uljen e standardeve të ekonomisë së karburantit, të vendosura nga paraardhësi Joe Biden. Ndërsa Bashkimi Evropian mund të prezantojë së shpejti një version më të zbutur të planit për heqjen graduale të motorëve me djegie të brendshme deri në vitin 2035.

Sipas ekspertëve, ndryshimet politike pasojnë një kalim më të ngadaltë se sa pritej drejt automjeteve elektrike. Ata shtojnë se blerësit kinezë, pavarësisht se po blejnë më shumë makina të gjelbra, janë më pak të interesuar për mënyrën se si funksionojnë, por fokusohen tek integrimi i tyre në stilin e jetës digjitale.

Ndërkohë që prodhuesit e makinave nxisin një tranzicion më të ngadaltë për të shpëtuar industrinë, grupet e transportit elektrik argumentojnë se një ndryshim i shpejtë drejt automjeteve të gjelbra është i nevojshëm për të kufizuar emetimet e CO2.

Vendimmarrësit perëndimorë kanë vendosur tarifa importi për të mbrojtur tregjet nga kërcënimi i automjeteve elektrike të subvencionuara nga Kina, por prodhuesit amerikanë dhe evropianë gjithashtu përballen me konkurrencë nga makinat me benzinë të Pekinit në tregjet globale.

Gjysma e blerësve globalë planifikojnë të blejnë një makinë të re ose të përdorur me djegie të brendshme brenda 24 muajve të ardhshëm, një rritje prej 13 pikësh përqindjeje krahasuar me 2024, sipas raportit. Preferenca për vetura me bateri elektrike dhe ato hibride është tkurrur përkatësisht me 10 dhe 5 pikë përqindjeje, në 14% dhe 16%. Mes blerësve të mundshëm të makinave të gjelbra, 36% po rishikojnë ose shtyjnë blerjet për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, nënvizojnë të dhënat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat