Bota Postuar më 19 Qershor 2025, 12:04

Kthimi i minierave në panele diellore - Procesi mund të shtojë 300 GW energji të rinovueshme deri në 2030

Nga Kristi Ceta

Kthimi i minierave në panele diellore - Procesi mund të shtojë

Shndërrimi i minierave të qymyrit, të mbyllura së fundmi, në termocentrale të energjisë diellore mund të shtojë pothuajse 300 GW energji të rinovueshme deri në vitin 2030, duke i kthyer tokat e braktisura në impiante produktive.

Studiuesit nga Global Energy Monitor (GEM) identifikuan 312 miniera sipërfaqësore qymyri të mbyllura që nga viti 2020 në të gjithë botën, si dhe 134 që priten të mbyllen deri në fund të dekadës. Së bashku, këto mbulojnë 5,820 km katrorë, një sipërfaqe toke pothuajse sa ajo e Palestinës.

Minierat i kthejnë terrenet në toka të shkreta, të ndotura dhe të zhveshura nga shtresa sipërfaqësore. Por nëse ato do të mbusheshin me panele diellore dhe do të zhvilloheshin në impiante energjie, mund të gjeneronin energji të mjaftueshme për të furnizuar një komb si Gjermania.

“Kalimi nga minierat tek energjia diellore është në proces e sipër dhe ky potencial është gati të zhbllokohet në prodhuesit kryesorë të qymyrit si Australia, SHBA, Indonezia dhe India,” thonë studiuesit.

“Ripërdorimi i minierave për zhvillimin e energjisë diellore ofron një shans të rrallë për të bashkuar restaurimin e tokës, krijimin e vendeve të punës dhe vendosjen e energjisë së pastër në një strategji të vetme. E njëjta tokë që fuqizoi epokën industriale mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve klimatike,” theksojnë ata.

Djegia e qymyrit për energji po hiqet gradualisht në të gjithë botën për shkak të emetimeve të larta të karbonit. Në të njëjtën kohë, energjia diellore është bërë më e arritshme dhe e përballueshme.

Në vitin 2024, 599 GW kapacitet diellor u instalua në të gjithë botën, dhe më shumë se 2,000 GW projekte diellore janë ende në zhvillim, sipas raportit. Globalisht, kapaciteti total i instaluar fotovoltaik në fund të vitit të kaluar tejkaloi 2 TW (teravat).

Por hapësira e nevojshme ​​për të vendosur panele diellore të mjaftueshme ka çuar në konflikte për përdorimin e tokës, me sektorin e bujqësisë dhe ruajtjes së natyrës që kundërshtojnë zhvillimet diellore. Përdorimi i tokave të minierave mund të jetë një zgjidhje e pjesshme për konflikte të tilla, pasi 96% e impianteve të braktisura së fundmi ndodhen më pak se 10 km larg një rrjeti elektrik.

Raporti vlerëson se rreth 260,000 vende pune të përhershme në prodhim e tregti mund të krijohen në vendet e tranzicionit nga qymyri në energji diellore. Përveç këtyre, do të shtohen edhe 315,000 vende pune të përkohshme në ndërtim. Të marra së bashku, këto shifra tejkalojnë numrin e punëtorëve që industria e qymyrit do të shkurtojë deri në vitin 2035.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat