Bota Postuar më 3 Dhjetor 2025, 11:19

Kreu i OKB propozon reduktim buxheti - 577 mln USD më pak për vitin e ardhshëm, 20% e stafit do të shkurtohen

Nga Kristi Ceta

Kreu i OKB propozon reduktim buxheti - 577 mln USD më pak për vitin e

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, propozoi zyrtarisht uljen e buxhetit bazë të OKB-së për vitin e ardhshëm me 577 milionë dollarë dhe heqjen e më shumë se 18% të vendeve të punës.

Guterres po kërkon mënyra për të përmirësuar efikasitetin dhe për të reduktuar kostot, ndërsa organizata ndërkombëtare feston 80-vjetorin e saj këtë vit dhe përballet me një krizë të likuiditetit, kryesisht për shkak të borxheve të Shteteve të Bashkuara.

“Ne përfunduam vitin 2024 me 760 milionë dollarë borxhe, nga të cilat 709 milionë janë ende të papaguara për 2024. Gjithashtu, nuk kemi marrë 877 milionë dollarë të detyrimeve për 2025, dhe kështu borxhet aktualisht arrijnë në 1.58 miliardë dollarë,” tha Guterres para komitetit të buxhetit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ai propozoi një buxhet bazë prej 3.238 miliardë dollarësh për vitin 2026, një ulje prej 15% krahasuar me këtë vit. Ky buxhet përfshin punën në fushat politike, humanitare, ekonomike, çështjet sociale dhe komunikimin. Kontributet për shumicën e agjencive, fondeve dhe programeve të OKB-së, si Programi Botëror i Ushqimit dhe UNICEF, janë vullnetare.

“Likuiditeti mbetet i brishtë dhe kjo sfidë do të vazhdojë pavarësisht buxhetit final të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, për shkak të volumit të papranueshëm të borxheve,” tha Guterres.

Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi kryesor i buxhetit bazë të OKB-së, duke paguar maksimalisht 22%, sipas vlerësimeve të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme. Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar OKB-në si një organizatë me “potencial të madh”, por ka thënë se nuk po e realizon këtë potencial. Ai ka kërkuar të reduktojë financimin amerikan.

Guterres nisi në mars një grup pune për reforma, të njohur si UN80, që synon të ulë kostot dhe të përmirësojë efikasitetin e organizatës. Misionet paqeruajtëse të OKB-së kanë një buxhet të veçantë. Në tetor, zyrtarët e lartë të OKB-së thanë se një e katërta e paqeruajtësve në nëntë operacione rreth botës do të ulet, për shkak të mungesës së fondeve, ndërsa financimi i ardhshëm nga Shtetet e Bashkuara mbetet i pasigurt.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat