Bota Postuar më 28 Gusht 2025, 10:54

Koreja e Jugut ndalon telefonat në shkollë - Ligji i ri synon të frenojë varësinë e fëmijëve nga rrjetet sociale

Nga Kristi Ceta

Koreja e Jugut ndalon telefonat në shkollë - Ligji i ri synon të

Koreja e Jugut ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera digjitale në klasat shkollore në të gjithë vendin. Vendimi ka ardhur mes shqetësimeve në rritje për ndikimin që përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale ka tek të rinjtë.

Ky ndalim, që do të hyjë në fuqi nga marsi i vitit të ardhshëm, e bën Korenë e Jugut vendin më të fundit që kufizon përdorimin e telefonave inteligjentë dhe rrjeteve sociale nga të miturit.

Së fundmi, Australia ka zgjeruar ndalimin e saj për rrjetet sociale tek adoleshentët. Ndërkohë, një studim në Holandë arriti në përfundimin se ndalimi i telefonave celularë në shkolla ka përmirësuar përqendrimin e nxënësve.

Sipas qendrës amerikane të studimeve Pew Research Center, Koreja e Jugut është një nga vendet më digjitale në botë, me 99% të popullsisë që rrinë “online” dhe 98% që zotërojnë një telefon inteligjent, përqindjet më të larta ndër 27 vendet e analizuara gjatë viteve 2022–2023.

Ligji për ndalimin e telefonave mori mbështetje dypartiake gjatë votimit në parlament. “Varësia e të rinjve tanë nga rrjetet sociale ka arritur një nivel shqetësues,” tha një deputet i opozitës dhe një nga mbështetësit e projektligjit. “Fëmijët tanë i kanë sytë të skuqur çdo mëngjes. Ata rrinë në Instagram deri në orën 2 apo 3 të natës,” deklaroi ai në parlament.

Sipas një sondazhi të kryer vitin e kaluar nga Ministria e Arsimit, rreth 37% e nxënësve të shkollave të mesme dhe të larta raportuan se rrjetet sociale ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, ndërsa 22% thanë se ndihen në ankth nëse nuk mund të kenë akses në llogaritë e tyre. Shumë shkolla në Korenë e Jugut tashmë zbatojnë kufizime të vetat mbi përdorimin e telefonave celularë, dhe ky ligj e bën këtë praktikë zyrtare.

Pajisjet digjitale do të lejohen ende për nxënësit me aftësi të kufizuara ose për qëllime edukuese. Disa grupe që mbrojnë të drejtat e të rinjve janë shprehur kundër këtij vendimi, duke thënë se ai shkel të drejtat e fëmijëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat