Bota Postuar më 18 Prill 2026, 11:27

Konferenca për Hormuzin në Paris, një shenjë uniteti/ 50 përfaqësues të shteteve dhe organizatave pjesë e konsultimeve

Nga SCAN TV

Konferenca për Hormuzin në Paris, një shenjë uniteti/ 50

Presidenti i Francës  Macron, kryeministri britanik Starmer, kryeministrja e Italisë  Meloni dhe kancelari gjerman Merz dolën para mikrofonëve së bashku në Paris. Paraqitja e përbashkët kishte për qëllim të dërgonte një sinjal të unitetit evropian. Megjithëse Irani sërish kërcënoi me bllokim të ri, Macron e përshëndeti fillimisht njoftimin e Iranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, por theksoi se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Duke iu drejtuar Iranit, por edhe Shteteve të Bashkuara, Macron kërkoi hapje të përhershme të ngushticës. Ky ishte mesazh i përbashkët i rreth pesëdhjetë shteteve dhe organizatave që ishin lidhur përmes videokonferencës në Paris. Ne kërkojmë rivendosjen e lëvizjes së lirë si para luftës dhe respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare detare.” tha Macron.

Sipas të dhënave të Pallatit Élysée, rreth 50 përfaqësues të shteteve dhe organizatave morën pjesë në konsultime. Shumica e tyre vinin nga Evropa, por në bisedime morën pjesë edhe Kina, India dhe Australia. Palët ndërluftuese – SHBA-ja, Izraeli dhe Irani – nuk ishin të pranishme.

Merz u shpreh i impresionuar nga vendosmëria e pjesëmarrësve në konferencë: "Të jem i sinqertë, më habiti disi se sa e madhe ishte pajtueshmëria në vlerësimin e situatës dhe sa të qarta dhe të njëjta ishin edhe përfundimet.”

Siç pritej, Macron dhe Starmer njoftuan synimin për të ngritur një mision shumëkombësh për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Operacioni do të nisë sapo rrethanat ta lejojnë, tha kryeministri britanik Starmer: "Ky do të jetë një mision rreptësisht paqësor dhe mbrojtës, për të garantuar lundrimin tregtar dhe për të mbështetur pastrimin e minave.” Më shumë se një duzinë shtetesh kanë premtuar mbështetje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat