Bota Postuar më 27 Gusht 2025, 10:32

Kina “shtron rrugën” për makinat e së ardhmes - Vendi, lider në hartimin e standardeve për automjetet pa shofer

Nga Kristi Ceta

Kina “shtron rrugën” për makinat e së ardhmes -

Kina ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në drejtimin autonom dhe teknologjitë e reja të automjeteve, duke u bërë një nga vendet udhëheqëse në përcaktimin e standardeve ndërkombëtare të industrisë. Në fillim të korrikut 2025, Pekini publikoi një standard ndërkombëtar për drejtimin autonom, që përshkruan procedurat e vlerësimit dhe metodat e testimit të këtyre sistemeve.

Këto teste po zhvillohen tashmë në një zonë të specializuar në Pekin, ku qytetarët mund të thërrasin një makinë robotike për vetëm pak minuta. Të dhënat e mbledhura nga dhjetëra mijëra përdorues realë në këtë zonë po përdoren për të trajnuar algoritmet dhe për të përmirësuar sigurinë e teknologjisë.

Për shumë vite, mungesa e standardeve të përbashkëta ka qenë një pengesë për zhvillimin e makinave me drejtim autonom, pasi infrastruktura rrugore ndryshon nga vendi në vend. Standardi i ri adreson pikërisht këtë problem, duke krijuar një proces të qartë vlerësimi dhe metodat e testimit që mund të aplikohen në nivel global. Ky konsiderohet një hap i madh për drejtimin autonom, nga dizenjimi konceptual, deri te zhvillimi i bazës së skenarëve dhe ndërtimi i qendrave të testimit fizik.

Pekini aktualisht udhëheq 13 projekte ndërkombëtare për standardet në fushën e teknologjive të automjeteve inteligjente. Përveç kësaj, në vitin 2022 vendi ka udhëhequr miratimin e një standardi tjetër të rëndësishëm që për herë të parë unifikoi strukturat e të dhënave për testet e drejtimit autonom në shkallë globale.

Roli i Kinës në këtë fushë vjen si rezultat i bashkëpunimit të saj të gjerë ndërkombëtar. Ajo ka punuar përkrah vendeve si Gjermania, Britania e Madhe dhe Japonia për hartimin e standardeve globale dhe po zhvillon partneritete me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Azisë Juglindore. Kjo qasje e hapur synon të ulë barrierat tregtare për prodhuesit kinezë dhe të lehtësojë eksportin e teknologjive të avancuara si LiDAR, që përdor lazer për të ndërtuar modele të mjedisit rreth makinës në kohë reale.

Krahas drejtimit autonom, Kina po avancon edhe në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare për automjetet me energji të re, si bateritë, qelizat e karburantit dhe sistemet e ndërrimit të baterive. Si vendi më i madh në botë në prodhimin dhe konsumin e automjeteve të tilla, Pekini ka marrë përsipër të udhëheqë zhvillimin e mëtejshëm të standardeve për këto teknologji. Përmes këtyre masave, Kina po shndërrohet nga një ndjekëse, në një kontribuese kyçe në hartimin e rregullave që do të formësojnë të ardhmen e transportit global.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat