Bota Postuar më 13 Qershor 2025, 12:06

Kina “përmbyt” tregun grek - 50,000 pako me vlerë 150 euro secila mbërrijnë çdo ditë nga Pekini

Nga Kristi Ceta

Kina “përmbyt” tregun grek - 50,000 pako me vlerë 150 euro

Komuniteti grek i biznesit është thellësisht i shqetësuar për përmbytjen e tregut vendas me produkte të shpërndara nga platformat elektronike shumëkombëshe aziatike.

Mijëra pako me vlerë deri në 150 euro secila dorëzohen çdo ditë, duke krijuar një situatë të vështirë për bizneset greke. Sipas përfaqësuesve të tregut, realiteti aktual lejon hyrjen pa taksa të produkteve kryesisht nga Kina, në të njëjtën kohë që bizneset greke janë të ngarkuara me taksa, TVSH, kosto zhdoganimi, si dhe duhet të përmbushin kërkesat e përputhshmërisë me standardet evropiane.

"Taksa" prej 2 eurosh që BE po shqyrton të vendosë mbi pakot e mallrave që hyjnë në BE nga Kina dhe vendet e treta përmes platformave elektronike, konsiderohet e ulët, pasi ata argumentojnë se nuk do të kompensojë humbjet e nuk do të ndalojë avancimin e produkteve në tregjet evropiane dhe greke.

Edhe pse mundësia e një takse prej 5-7 eurosh ka qenë në tryezë në diskutimet e vazhdueshme, sipas biznesmenëve, kjo nuk është zgjidhja e problemit, pasi do të zbatohet në vitin 2028.

Konfederata Helene e Tregtisë dhe Sipërmarrjes e ka ngritur tashmë çështjen në nivel evropian për të kufizuar shitjet nga platforma kineze si Shein dhe Temu, duke marrë një rol aktiv në formësimin e politikave në favor të bizneseve tregtare.

Vetëm në vitin 2024, 4.6 miliardë pako mallrash me vlerë deri në 150 euro u importuan në tregun evropian, dhe kjo çon në konkurrencë të pabarabartë, thonë tregtarët, pasi bizneset evropiane dhe greke, që u përmbahen standardeve të rrepta të cilësisë, punës dhe mbrojtjes së mjedisit, detyrohen të konkurrojnë me produkte me origjinë dhe kontroll të dyshimtë.

Sot, mbi 91% e pakove me vlerë më pak se 150 euro të importuara në BE vijnë nga Kina, ndërsa në Greqi vlerësohet se deri në 50,000 porosi me vlerë të ulët mbërrijnë çdo ditë.

Në fakt, lufta tregtare SHBA-Kinë e ka kthyer interesin e tregjeve kryesore aziatike drejt Evropës dhe rreziku i një "stuhie" produktesh me kosto të ulët është më se i dukshëm. Aktualisht, këto kompani po zbatojnë strategjinë për depërtim më agresiv në tregjet e BE-së me aktivitete promovuese, reclama, madje edhe subvencione me dërgesë falas për klientët e tyre.

Në këtë mjedis, shitjet online në Greqi vazhdojnë të shënojnë shpejtësi të larta, me grekët që blejnë gjithçka elektronikisht.

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se 74% e qytetarëve përdorin internetin për të blerë produkte dhe shërbime, ndërsa 76.7% raportuan se bëjnë shpesh blerje online. Në fakt, 84.4% e konsumatorëve preferojnë të blejnë nga dyqanet elektronike greke.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat