Bota Postuar më 22 Tetor 2025, 09:53

Kina “parakalon” SHBA-në - Bëhet partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në vitin 2025

Nga Kristi Ceta

Kina “parakalon” SHBA-në - Bëhet partneri më i madh

Kina ka rimarrë vendin e parë si partneri më i madh tregtar i Gjermanisë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025, duke tejkaluar Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave paraprake nga zyra gjermane e statistikave.

Importet dhe eksportet e Gjermanisë me Kinën arritën gjithsej 163.4 miliardë euro nga janari deri në gusht, ndërsa tregtia me SHBA-në ishte pak më e ulët, në 162.8 miliardë euro, sipas përllogaritjeve të Reuters.

Në vitin 2024, SHBA ishte partneri më i madh tregtar i Berlinit, duke i dhënë fund një periudhe prej tetë vitesh ku Kina mbante vendin e parë. Kjo ndodhi ndërkohë që Gjermania përpiqej të zvogëlonte varësinë nga Pekini, duke përmendur dallime politike dhe akuza për praktika të padrejta tregtare.

Megjithatë, dinamika tregtare ndryshoi sërish këtë vit, me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe vendosjen e tarifave të reja. Këto tarifa kanë ulur ndjeshëm eksportet gjermane në SHBA, që ranë me 7.4% në tetë muajt e parë të vitit krahasuar me 2024, duke zbritur në 99.6 miliardë euro. Vetëm në gusht, dërgesat drejt SHBA-së u tkurrën me 23.5% në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, duke treguar se rënia po përshpejtohet.

"Nuk ka dyshim se politika tregtare dhe tarifore e SHBA-së është një nga arsyet kryesore të rënies së shitjeve," shpjegojnë analistët e tregut. Ata shtojnë se kërkesa amerikane për mallrat klasike të eksportit gjerman, si automjetet, makineritë dhe kimikatet, është tkurrur ndjeshëm. Për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme për tarifa dhe forcimit të euros, nuk pritet që eksportet drejt SHBA-së të rikuperohen së shpejti.

Nga ana tjetër, dërgesat drejt Kinës ranë edhe më shumë se ato drejt SHBA-së, 13.5% më pak në raport me një vit më parë, duke arritur në 54.7 miliardë euro në tetë muajt e parë të vitit. Ndërkohë, importet nga Pekini u zgjeruan me 8.3%, në 108.8 miliardë euro.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo jo vetëm që rrit varësinë e Gjermanisë nga Kina, por gjithashtu mund të shtojë presionin në industritë kryesore ku Pekini është bërë konkurrent i fortë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat