Bota Postuar më 8 Dhjetor 2025, 09:55

Kina nuk ka “nevojë” për SHBA-në - Eksportet totale rriten me 6%, pavarësisht tkurrjes së importeve amerikane

Nga Kristi Ceta

Kina nuk ka “nevojë” për SHBA-në - Eksportet totale

Eksportet e Kinës u rritën me 5.9% në nëntor, duke kapërcyer pritshmëritë dhe duke rikthyer trendin pozitiv në vend. Rritja e eksporteve totale ka ardhur pavarësisht rënies së ndjeshme të dërgesave drejt SHBA-së muajt e fundit.

Eksportet e Kinës u kthyen në trajektore pozitive në nëntor, pas një rënieje të papritur në muajin paraprak. Megjithatë, dërgesat drejt Shteteve të Bashkuara ranë pothuajse me 29% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar muajin e tetë radhazi me rënie dyshifrore.

Në total, eksportet kineze në nëntor ishin 5.9% më të larta se një vit më parë, sipas të dhënave doganore. Shifra arriti në 330.3 miliardë dollarë, duke tejkaluar pritshmëritë e ekonomistëve dhe duke sinjalizuar një përmirësim krahasuar me rënien 1.1% të tetorit.

Të dhënat treguan se suficiti tregtar i Kinës për 11 muajt e parë të vitit kaloi vlerën e 1 trilion dollarëve. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për një vit të vetëm dhe më shumë se suficiti prej 992 miliardë dollarësh i vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare të FactSet.

Ndërsa eksportet drejt SHBA-së janë tkurrur gjatë pjesës më të madhe të vitit, dërgesat drejt rajoneve të tjera janë rritur ndjeshëm, përfshirë Azinë Juglindore, Amerikën Latine, Afrikën dhe Bashkimin Evropian.

Importet e Kinës u zgjeruan me 1.9% në nëntor dhe tejkaluan 218 miliardë dollarë. Kjo vlerë është më e lartë se rritja 1% e tetorit, edhe pse rënia e vazhdueshme në sektorin e pasurive të paluajtshme vazhdon të ndikojë negativisht te shpenzimet e konsumatorëve dhe investimet e bizneseve.

Një armëpushim tregtar njëvjeçar mes SHBA-së dhe Kinës u arrit gjatë një takimi mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping në fund të tetorit në Korenë e Jugut. SHBA uli tarifat ndaj Kinës, ndërsa Pekini premtoi të ndalonte kontrollet e eksportit për mineralet e rralla.

“Ka shumë gjasa që eksportet e nëntorit të mos e reflektojnë ende plotësisht uljen e tarifave, që do të ndihet më shumë gjatë muajve të ardhshëm,” shpjegojnë ekonomistët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat