Bota Postuar më 16 Korrik 2026, 11:09

Kina, kufizime për eksportet e metaleve të rralla - Mund të rrezikojnë industritë perëndimore në vlerën e 6.5 trilionë dollarëve

Nga Lidion Kulla

Kina, kufizime për eksportet e metaleve të rralla - Mund të

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se zbatimi i plotë i kufizimeve nga Kina, për eksportin e metaleve të rralla mund të rrezikojë prodhimin me vlerë 6.5 trilionë dollarë në industritë që varen prej tyre jashtë territorit kinez.

Kina, prodhuesi më i madh në botë i metaleve të rralla, zgjeroi kontrollet e eksportit në tetor të vitit të kaluar për të mbuluar materiale shtesë dhe prezantoi kërkesa të reja për licencim, por më vonë ra dakord të shtyjë zbatimin për një vit.

Mineralet e rralla janë një grup prej 17 metalesh që përdoren në sasi të vogla, por janë thelbësore për produktet që variojnë nga makinat dhe avionët, deri te elektronika dhe sistemet e armëve. Nëse kontrollet hyjnë në fuqi të plotë, rreth 6.5 trilionë dollarë prodhim në sektorët e automobilave, teknologjisë së lartë, mbrojtjes dhe energjisë mund të ekspozohen ndaj ndërprerjeve të furnizimit, paralajmëroi Agjencia në raportin e saj mbi Perspektivën Globale të Mineraleve Kritike.

Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të përfaqësonin gati gjysmën e ndikimit ekonomik, shtoi raporti. “Analiza jonë e fundit tregon se sasi të mëdha vlerash ekonomike varen nga vëllime relativisht të vogla të mineraleve kritike, zinxhirët e furnizimit të të cilave mbeten shumë të përqendruar dhe për këtë arsye janë vulnerabël”, tha Drejtori Ekzekutiv i agjencisë, Fatih Birol.

Agjencia paralajmëroi gjithashtu mbi rreziqet që do të vijnë nga kontrollet e planifikuara të Kinës për eksportin e grafitit, një material kyç i përdorur në bateritë e automjeteve elektrike. Zbatimi i plotë i kontrolleve të grafitit mund të vërë në rrezik rreth 300 miliardë dollarë prodhim jashtë Kinës, thuhet në raport. Kina përfaqëson më shumë se 90% të prodhimit global të grafitit të përpunuar.

Qeveritë perëndimore janë përpjekur të ndërtojnë zinxhirë alternativë të furnizimit me minerale kritike. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se angazhimet publike të financimit për projekte të reja u 4-fishuan midis viteve 2023 dhe 2025 në 65 miliardë dollarë. Projektet e reja të rafinimit të mineraleve të rralla në SHBA dhe Malajzi e ulën pjesën e Kinës në tregun global në 85% vitin e kaluar, nga 90% që ishte në vitin 2023. Nëse projektet e planifikuara vazhdojnë sipas planit, pjesë e Kinës mund të bjerë në 70%, deri në vitin 2035.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat