Bota Postuar më 10 September 2026, 09:47

Kina “blindon” rezervat - Pekini regjistron rritjen më të madhe të arit që nga viti 2023

Nga Edel Strazimiri

Kina “blindon” rezervat - Pekini regjistron rritjen më të

Banka Popullore e Kinës ka vijuar me ritëm të lartë blerjet e arit, duke rritur rezervat për të 20-in muaj radhazi. Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të qershorit, rezervat e arit të bankës qendrore arritën në 75.44 milionë ons troje, nga 74.96 milionë ons një muaj më parë.

Në vetëm një muaj, Kina shtoi rreth 480 mijë ons ar, ose afërsisht 15 tonë metrikë. Ky është shtimi më i madh mujor i rezervave që prej tetorit të vitit 2023, kur banka qendrore kineze kishte rritur rezervat me rreth 740 mijë ons.

Por rritja e sasisë së arit nuk u shoqërua me rritje të vlerës së rezervave. Përkundrazi, vlera e tyre ra ndjeshëm, në rreth 303.72 miliardë dollarë në fund të qershorit, nga 340.75 miliardë dollarë në maj.

Kjo lidhet me rënien e fortë të çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare. Gjatë qershorit, ari humbi 11.65% të vlerës, duke shënuar rënien më të madhe mujore që nga tetori i vitit 2008. Çmimi i metalit të çmuar ra përkohësisht edhe nën nivelin e 4 mijë dollarëve për ons.

Presion mbi arin ushtruan forcimi i dollarit dhe pritshmëritë e tregjeve se Rezerva Federale mund t'i mbajë normat e interesit në nivele të larta për më gjatë. Në të njëjtën kohë, tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë mbi inflacionin vijuan të ndikonin në tregjet financiare.

Megjithatë, rënia e çmimit nuk e ka ndryshuar strategjinë e Pekinit. Kina po vijon të blejë ar edhe në një periudhë kur çmimi i tij është nën presion, duke sinjalizuar një qasje afatgjatë për forcimin dhe diversifikimin e rezervave të saj valutore.

Blerjet e vazhdueshme nga bankat qendrore, veçanërisht nga ekonomitë e mëdha, janë bërë një faktor i rëndësishëm në tregun global të arit. Për Kinën, shtimi i rezervave të arit shihet si një mënyrë për të reduktuar varësinë nga aktivet e tjera dhe për të krijuar një mburojë më të madhe ndaj pasigurive në ekonominë globale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat