Bota Postuar më 18 Janar 2025, 14:44

Kanada, Carney kandidon për kryeministër - Ish-guvernatori i Bankës Qendrore hyn në garë për të zëvendësuar Trudeau

Nga Kristi Ceta

Kanada, Carney kandidon për kryeministër - Ish-guvernatori i

Ish-guvernatori i Bankës së Kanadasë, Mark Carney, njoftoi se do të kandidonte për të zëvendësuar kryeministrin Justin Trudeau si lider i Partisë Liberale në pushtet, duke thënë se donte të fokusohej tek forcimi i ekonomisë në vështirësi.

Carney, 59 vjeç, shpalli kandidaturën në qytetin perëndimor të Edmonton, duke u paraqitur si një i jashtëm që nuk ishte pjesë e qeverisë jopopullore të ish-kryeministrit. Trudeau njoftoi dorëheqjen e tij këtë muaj për shkak të pakënaqësisë së ligjvënësve përpara zgjedhjeve të këtij viti.

Ish-kreu i shtetit, i cili mori detyrën në nëntor 2015, do të qëndrojë në detyrë derisa zëvendësuesi i tij të emërohet më 9 mars. Rivalja kryesore e Carney pritet të jetë ish-ministrja e financave Chrystia Freeland, dorëheqja e së cilës muajin e kaluar për shkak të dallimeve politike çoi në vendimin e Trudeau për t'u tërhequr.

Kryeministri i ri nuk ka gjasa të jetë në detyrë për një kohë të gjatë. Qeveria e pakicës mund të rrëzohet në parlament në fund të marsit, duke sjellë zgjedhje të reja, që sipas sondazheve, do të fitohen nga konservatorët e opozitës.

Carney, i cili ishte gjithashtu guvernator i Bankës së Anglisë, kandidon si një person me përvojë të konsiderueshme financiare. "Unë do të jem plotësisht i fokusuar në rikthimin e ekonomisë sonë në rrugën e duhur. Kam ndihmuar në menaxhimin e krizave të shumta dhe në shpëtimin e dy ekonomive. Unë e di se si funksionon biznesi dhe di si ta bëj të funksionojë për ju," theksoi ai.

Konservatorët thonë se ka pak ndryshim midis Carney dhe Trudeau, pasi sipas tyre ka qenë “një person i brendshëm liberal për një kohë të gjatë, këshilltar të paktën që në vitin 2020”.

Carney punoi për Goldman Sachs përpara se t'i bashkohej ministrisë kanadeze të financave në 2004. Ai u emërua guvernator i Bankës së Kanadasë në 2007 dhe shumë shpejt iu desh të përballej me pasojat e krizës globale në vitin 2008. Në 2013 ai mori detyrën si guvernator i Bankës të Anglisë, duke u bërë personi i parë që ka drejtuar dy banka të mëdha qendrore.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat