Bota Postuar më 29 Prill 2025, 12:38

Kanada, Carney fiton zgjedhjet e përgjithshme - Udhëheq Partinë Liberale drejt fitores së katërt radhazi

Nga Kristi Ceta

Kanada, Carney fiton zgjedhjet e përgjithshme - Udhëheq Partinë

Rezultatet e hershme në zgjedhjet e përgjithshme të Kanadasë treguan se Kryeministri Mark Carney do të formojë qeverinë e re. Partia e tij Liberale arriti të përmbyste në perspektivat politike në vend, pas një fundi të zymtë të qeverisjes së Justin Trudeau.

Televizionet kanadeze kanë parashikuar që Carney do të mbetet në postin e tij, duke arritur një fitore dramatike, pasi ai trashëgoi një parti në disavantazh dyshifror në sondazhe ndaj Partisë Konservatore të opozitës, për shkak se popullariteti i ish-kryeministrit Justin Trudeau pësoi një goditje.

Partia Liberale parashikohet të tejkalojë rivalin e saj konservator në Dhomën e Përfaqësuesve me 343 vende të Parlamentit. Ajo që mbetet ende e paqartë është nëse Carney, një ekonomist me përvojë i shndërruar në politikan, do të formojë një qeveri shumice apo pakice. Një parti duhet të fitojë 172 vende në Dhomën e Përfaqësuesve për të pasur shumicën.

Nga mënyra si po shkon situata, media kanadeze parashikon që partia e Carney të sigurojë 161 vende. Konservatorët e Pierre Poilievre nuk janë shumë prapa dhe parashikohen të fitojnë 150 vende. Zgjedhjet shënojnë gjithashtu një humbje të thellë për Konservatorët e Kanadasë, të cilët nën udhëheqjen e Poilievre kishin pritur të ktheheshin në pushtet, derisa një krizë diplomatike dhe tregtare e shkaktuar nga fitorja e Donald Trump e dëmtoi kthesën populiste në të djathtë.

Popullariteti i Trudeau ishte rrënuar në vitet e fundit. Një valë humbjesh në zgjedhjet e pjesshme dhe dorëheqjesh të profilit të lartë të kabinetit përfundimisht e detyruan atë të njoftonte dorëheqjen e tij në janar të këtij viti, dy javë para se Trump të betohej për mandatin e tij të dytë.

Megjithatë, Trudeau iu përgjigj kërcënimeve të forta të Trump kundër Kanadasë në fazën e hershme të presidencës së tij me një retorikë të ashpër dhe patriotike që menjëherë rimori mbështetjen që kishte humbur.

Carney, një ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë, arriti një fitore të madhe në garën për të pasuar Trudeau si udhëheqës liberal.

Që kur erdhi në pushtet në fund të janarit, Trump e ka vënë Kanadanë në shënjestrën e tij. Ai dhe figura të tjera në administratën e tij kanë filluar ta quajnë vendin fqinj si shteti i 51-të potencial i SHBA-së dhe e kanë quajtur paraardhësin e Carney si "Guvernatori Trudeau".

Trump ka kërcënuar gjithashtu të vendosë tarifa agresive për mallra të ndryshme kanadeze që hyjnë në SHBA. Disa nga këto tarifa janë miratuar, ndërsa të tjerat janë pezulluar ose tërhequr pak para se të hyjnë në fuqi.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat