Bota Postuar më 8 Korrik 2025, 10:44

Ish-Ministri rus i Transportit gjendet i vdekur - Mediat ruse: Roman Starovoit ka kryer vetëvrasje pas shkarkimit nga detyra

Nga Kristi Ceta

Ish-Ministri rus i Transportit gjendet i vdekur - Mediat ruse: Roman Starovoit

Roman Starovoit, ish-Ministri i Transportit në Rusi, u gjend i vdekur disa orë pas shkarkimit nga detyra. Sipas mediave ruse, dyshohet se ish-zyrtari ka kryer vetëvrasje.

Disa orë pasi u shkarkua nga detyra e Ministrit të Transportit, Roman Starovoit, i ka dhënë fund jetës. Sipas mediave ruse, ish-zyrtari qëlloi veten me armë.

Ky lajm u konfirmua edhe nga autoritetet ruse, pasi sipas Komitetit Hetues, “trupi i ish-Ministrit të Transportit rus Roman Vladimirovich Starovoit u gjet sot në makinën e tij. Ai kishte pësuar një plagë plumbi”.

Disa orë para ngjarjes, Presidenti rus Vladimir Putin shkarkoi Ministrin e tij të Transportit, një veprim i papritur që vjen në një kohë sfidash të rëndësishme për sektorin, ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e katërt.

Dekreti i Putinit nuk e justifikoi shkarkimin e Roman Starovoit, i cili kishte qenë në këtë post vetëm për një vit. Starovoit u emërua ministër në maj 2024, pasi kaloi gati pesë vjet si guvernator i rajonit Kursk, që kufizohet me Ukrainën.

Megjithatë, shkarkimi i tij erdhi pasi rreth 300 fluturime u anuluan në aeroportet kryesore gjatë fundjavës së kaluar, për shkak të sulmit të fundit me dronë ukrainas.

Kremlini njoftoi se Andrei Nikitin, një ish-guvernator i rajonit të Novgorodit, ishte emëruar ministër i transportit në detyrë dhe publikoi foto të tij duke shtrënguar duart me Putin në Kremlin.

I pyetur për largimin e papritur të Starovoit dhe emërimin e shpejtë të Nikitin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Aktualisht, sipas mendimit të presidentit, kualifikimet profesionale dhe përvoja e Andrei Nikitin do të ndihmojnë më së miri që ky shërbim, të cilin presidenti e përshkroi si jashtëzakonisht të rëndësishëm, të përmbushë detyrat dhe funksionet e tij.”

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat