Bota Postuar më 10 Prill 2025, 09:36

Intensifikohet lufta tregtare SHBA-Kinë - Tarifat e Pekinit hyjnë në fuqi pas pezullimit të masave të Trump

Nga Kristi Ceta

Intensifikohet lufta tregtare SHBA-Kinë - Tarifat e Pekinit hyjnë

Lufta tregtare e Donald Trump me Kinën vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa tarifat hakmarrëse prej 84% të Pekinit hynë në fuqi disa orë pasi presidenti i SHBA-së njoftoi një pauzë të detyrimeve reciproke për dhjetëra vende, përveç gjigantit aziatik.

Tregjet u rimëkëmbën pas njoftimit të Trump për pauzën e papritur, pas episodit më të paqëndrueshëm në tregjet financiare që nga pandemia.

Megjithatë, tarifat kundër mallrave kineze tani janë 125% dhe Pekini është zotuar të "luftojë deri në fund".

Kreu i Organizatës Botërore të Tregtisë tha se një luftë tarifore SHBA-Kinë në përshkallëzim mund të ulë tregtinë e mallrave midis dy vendeve me 80%. Duke pasur parasysh se dy gjigantët ekonomikë përbëjnë 3% të tregtisë botërore, konflikti mund të "dëmtojë rëndë perspektivën ekonomike globale".

Kompanitë kineze që shesin produkte në Amazon po përgatiteshin të rrisnin çmimet për SHBA-në ose të largoheshin nga ai treg për shkak të "goditjes së paprecedentë" nga tarifat, tha kreu i shoqatës më të madhe të tregtisë elektronike në Kinë.

Ndryshimi i papritur i qëndrimit të Trump, mes frikës në rritje se SHBA po shkon drejt një recesioni, nxiti një ringjallje dramatike në tregjet e aksioneve në të gjithë Azinë. Pauza 90-ditore e presidentit mbajti tarifën globale prej 10%, por ndaloi detyrimet më të larta reciproke.

"Mendova se njerëzit po dilnin pak jashtë kontrollit e po bëheshin qesharakë", tha Trump kur u pyet pse e kishte njoftuar pauzën.

Ndërkohë, Pekini njoftoi se do të vendoste taksa 84% për produktet amerikane, si dhe do të përfshinte 18 kompani amerikane në listat e kufizimeve tregtare. Kjo erdhi pas njoftimit të Trump për një regjim global tarifor në "ditën e çlirimit", që shtoi një tarifë 34% tek 20% që ishte tashmë e vendosur ndaj Kinës, duke e bërë Pekinin të njoftonte detyrime reciproke prej 34%. Trump e paralajmëroi Kinën ta tërhiqte masën ose ai do të përgjigjej, por Kina refuzoi dhe të dyja palët nisën një sërë rritjesh të taksave. Trump premtoi një taksë prej 104% dhe më pas 125% kundër importeve kineze dhe i la ato në fuqi ndërsa njoftoi një pezullim për vendet e tjera.

I pyetur nga gazetarët, ai pretendoi se Kina "dëshiron të bëjë një marrëveshje, ata thjesht nuk dinë si ta arrijnë këtë. Ata janë njerëz krenarë. Po ashtu dhe Presidenti Xi Jinping. E njoh shumë mirë. Ata nuk dinë si ta zgjidhin situatën, por do ta gjejnë përgjigjen", tha ai.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat