Bota Postuar më 7 Prill 2025, 14:30

“Inflacioni i lartë mund të jetë i zgjatur” - Kreu i Fed paralajmëron për efektin e tarifave të Trump

Nga Kristi Ceta

“Inflacioni i lartë mund të jetë i zgjatur” - Kreu i

Inflacioni ka shumë gjasa të rritet për shkak të tarifave gjithëpërfshirëse të Presidentit Donald Trump dhe mund të mbetet i lartë, tha kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell.

“Ne përballemi me një perspektivë shumë të pasigurt me rreziqe të rritura, si për papunësi më të lartë ashtu edhe për inflacion më të lartë,” tha ai. “Ndërsa tarifat priten të gjenerojnë të paktën një rritje të përkohshme të inflacionit, është gjithashtu e mundur që efektet të jenë më të qëndrueshme.”

Komentet e fundit të Powell vijnë vetëm disa ditë pasi administrata Trump zbuloi përshkallëzimin tarifor më të mprehtë ndonjëherë në SHBA, bazuar mbi të dhënat që datojnë deri në 200 vjet më parë, tha Fitch Ratings, më shumë se tarifat e vendosura nën Aktin Smoot-Hawley të vitit 1930. Një taksë 10% mbi të gjitha importet amerikane do të hyjë në fuqi të shtunën, me detyrime më të larta të planifikuara për më 9 prill.

Tarifat e Trump ishin më të këqija se ç'pritej, duke shkaktuar një shitje globale në tregun e aksioneve këtë javë. Ekonomistët në JPMorgan tani shohin shanset e recesionit global në 60% nëse tarifat do të qendrojnë. Parashikues të ndryshëm presin që çmimet e konsumit, veçanërisht për makinat, të rriten këtë vit.

Basti i rrezikshëm i Trump për të korrigjuar zhbalancimet tregtare dhe për të rikthyer prodhimin në SHBA mund ta dërgojë ekonominë drejt “stagflacionit”, një kombinim toksik i stanjacionit dhe rritjes së papunësisë, së bashku me përshpejtimin e inflacionit. Fed do të duhet ta trajtojë këtë situatë ashtu siç bëri në vitet 1970.

Pak para fjalimit të Powell, Trump në një postim në platformën e tij të mediave sociale i bëri thirrje Fed të ulë kostot e huamarrjes, duke akuzuar liderin e bankës qendrore se po luan lojra politike.

“Kjo do të ishte një kohë e përkryer për kryetarin e Fed, Jerome Powell, për të ulur normat e interesit”, shkroi Trump.

Zyrtarët e Fed po vonojnë uljen e normave të interesit, duke pritur që inflacioni të ngadalësohet më tej dhe të shohin se si shfaqen ndryshimet kryesore të politikave të Trump në të dhënat ekonomike. Ata ende presin të ulin normat në një moment të këtij viti, sipas parashikimeve të fundit ekonomike të publikuara muajin e kaluar.

Fed uli tre herë normat e interesit vitin e kaluar pasi inflacioni po ngadalësohej. Por ky progres ngeci rreth fundit të vitit, gjë që dobësoi shanset për ulje të mëtejshme. Rezerva Federale i mbajti të qëndrueshme kostot e huamarrjes dhe muajin e kaluar.

Tregu i punës i Amerikës mbetet gjithashtu solid, sipas të dhënave të reja të qeverisë, që do të thotë se nuk ka ndonjë nevojë urgjente që Fed t'i sigurojë ekonomisë lehtësim përmes shkurtimeve shtesë.

Por tarifat e miratuara së fundmi nga Trump, nëse ato nuk anulohen, premtojnë të kenë efekte të gjera në ekonominë amerikane. Nëse këto efekte janë inflacioni më i lartë dhe papunësia në rritje, zyrtarët e Fed do të duhet të bëjnë disa zgjedhje shumë të vështira. Banka qendrore është ngarkuar nga Kongresi për të maksimizuar punësimin dhe për të stabilizuar çmimet.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat