Bota Postuar më 12 Qershor 2025, 13:17

Indi, avioni me 242 pasagjerë rrëzohet gjatë ngritjes - Mjeti fluturues përplaset me godinat e banuara pranë aeroportit

Nga Kristi Ceta

Indi, avioni me 242 pasagjerë rrëzohet gjatë ngritjes - Mjeti

Një aeroplan i Air India që udhëtonte për në aeroportin Gatwick të Londrës është rrëzuar gjatë ngritjes në aeroportin e Ahmedabad. Sipas të dhënave, avioni kishte 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të stafit. Nga këta, 169 janë shtetas indianë, 53 britanikë, 1 shtetas kanadez dhe 7 portugezë.

Burime nga Ministria e Aviacionit të Indisë shprehën tronditjen pas rrëzimit të mjetit fluturues në shtetin indian të Gujaratit.

"Jemi në gatishmëri të lartë. Po e monitorojmë situatën dhe kemi udhëzuar të gjitha agjencitë e aviacionit dhe reagimit ndaj emergjencave që të ndërmarrin veprime të shpejta. Ekipet e shpëtimit janë mobilizuar dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për të siguruar që ndihma mjekësore të dërgohet me nxitim në vendngjarje,"u shprehën ata. 

Indi, avioni me 242 pasagjerë rrëzohet gjatë ngritjes - Mjeti

Faqet “online” të gjurmimit të fluturimeve tregojnë se avioni është një Boeing 787-8 Dreamliner.

"Po ndjekim raportet për një rrëzim të fluturimit të Air India nga Ahmedabad në Londër. Ne morëm sinjalin e fundit nga avioni vetëm disa sekonda pas ngritjes," shkroi Flight Radar në një postim në X.

Pamjet në mediat sociale tregojnë një avion që fluturon ulët duke zbritur drejt një lagjeje banimi përpara se të shpërthejë në flake. Një imazh tjetër duket se tregon bishtin e aeroplanit në çatinë e një ndërtese banimi pas rrëzimit.

Meghaninagar është një zonë periferike banimi në Ahmedabad, në perëndim të Indisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat