Bota Postuar më 19 Nëntor 2025, 09:57

IA, kërcënim për sondazhet - Modelet gjuhësore “korruptojnë” rezultatet e anketave

Nga Kristi Ceta

IA, kërcënim për sondazhet - Modelet gjuhësore

Inteligjenca Artificiale (IA) po e bën pothuajse të pamundur dallimin e përgjigjeve njerëzore nga ato të robotëve virtualë në sondazhet “online” të opinionit publik. Një studim i Universitetit Dartmouth tregon se modelet e mëdha gjuhësore (LLM) mund të korruptojnë sondazhet e opinionit publik në shkallë të gjerë.

"Këto modele mund të imitojnë personazhet njerëzore, t'u shmangen metodave aktuale të zbulimit dhe të programohen për të ndikuar sistematikisht rezultatet e sondazheve ‘online’", sipas studimit.

Raporti zbulon një "cenueshmëri kritike në infrastrukturën e të dhënave", duke paraqitur një "kërcënim potencial ekzistencial për kërkimin “online” të pambikëqyrur", tha një nga autorët.

Ndërhyrja e inteligjencës artificiale në sondazhe mund të shtojë një shtresë tjetër kompleksiteti në procesin e zgjedhjeve. Tashmë, fushatat e dezinformimit janë sinjalizuar nga grupet e monitorimit “online” në zgjedhjet evropiane, duke përfshirë rastin e fundit në Moldavi.

Për të testuar cenueshmërinë e softuerit të një sondazhi, u projektua një mjet i thjeshtë i inteligjencës artificiale që funksionon me një tekst udhëzues prej 500 fjalësh. Për çdo anketë, mjeti do të përvetësonte një personazh demografik bazuar në informacione të caktuara rastësisht, duke përfshirë moshën, gjininë, racën, arsimin, të ardhurat dhe shtetin e banimit. Me këtë personazh, ai simulonte kohë leximi realiste, gjeneronte lëvizje të mausit si njerëzit dhe shkruante përgjigje të shoqëruara me gabime dhe korrigjime të besueshme.

Në mbi 43,000 teste, mjeti i mashtroi 99.8 për qind të sistemeve, duke i bërë të mendonin se ishte njeri. Agjenti virtual nuk bëri asnjë gabim logjik dhe anashkaloi masat tradicionale të sigurisë, të krijuara për të zbuluar përgjigjet e automatizuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat