Bota Postuar më 18 Prill 2025, 13:06

FMN nuk parashikon recesion global - Por, tensionet tregtare do të reflektojnë rënie ekonomike

Nga Kristi Ceta

FMN nuk parashikon recesion global - Por, tensionet tregtare do të

Rritja e tensioneve tregtare dhe ndryshimet rrënjësore në sistemin global tregtar do të shkaktojnë rishikime në rënie të parashikimeve ekonomike të Fondit Monetar Ndërkombëtar, por nuk pritet recesion global, tha kreu i FMN-së, Kristalina Georgieva.

Ajo shtoi se ekonomitë e vendeve po testoheshin nga një ndryshim i sistemit global tregtar, i shkaktuar në muajt e fundit nga tarifat e SHBA-së dhe hakmarrja e Kinës dhe Bashkimit Evropian. Këta faktorë kanë nxitur pasiguri në politikën tregtare dhe paqëndrueshmëri ekstreme në tregjet financiare.

"Çrregullimet sjellin kosto... parashikimet tona të reja të rritjes do të përfshijnë ulje të dukshme, por jo recesion," tha ajo në një fjalim përpara takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington javën e ardhshme.

Tarifat e Trump dhe trazirat në tregjet financiare priten të dominojnë takimet pranverore, të cilat mbledhin së bashku bankierët qendrorë dhe ministrat e financave nga e gjithë bota.

Pasiguria e lartë gjithashtu rriti rrezikun e stresit të tregut financiar, tha Georgieva, duke vënë në dukje se lëvizjet e fundit në rendimentin e thesarit të SHBA-së duhet të merren si paralajmërim. "Të gjithë vuajnë nëse kushtet financiare përkeqësohen," theksoi ajo.

Georgieva tha se ekonomia reale e botës po funksionon mirë, me një treg të fortë pune dhe një sistem financiar të qëndrueshëm, por paralajmëroi se perceptimet dhe shqetësimet gjithnjë e më negative rreth recesionit mund të ndikojnë gjithashtu në aktivitetin ekonomik.

Në janar, FMN parashikoi rritje globale prej 3.3% në vitin 2025 dhe 3.3% në vitin 2026. Fondi do të publikojë një Perspektivë të përditësuar Ekonomike Botërore të martën.

Georgeva nuk dha detaje rreth rishikimeve të pritura, por paralajmëroi se pasiguria e zgjatur do të ishte e kushtueshme dhe tha se pasojat e rinisjes tregtare do të ishin "të rëndësishme".

FMN nuk pret një ndryshim të madh në asnjë drejtim të inflacionit në përgjithësi, pasi tarifat mund të rrisnin çmimet e konsumit dhe të prodhuesit, ose mund të bënin që njerëzit të frenonin shpenzimet, gjë që në fakt mund ta ulte inflacionin. Por parashikimet e përditësuara të FMN-së do të tregonin inflacion më të lartë për disa vende, tha Georgeva.

Ekonomistët presin që politika agresive e tarifave të SHBA-së të shkaktojë një ngadalësim të ndjeshëm në ekonominë e SHBA-së këtë vit dhe vitin tjetër, me probabilitetin e një recesioni gjatë vitit të ardhshëm që rritet në 45%, më i larti që nga dhjetori 2023.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat