Bota Postuar më 12 Nëntor 2024, 10:45

Energjia diellore dyfishon kapacitetin global brenda 2 vitesh - Teknologjia fotovoltaike planifikon të arrijë 8 TW deri në fund të dekadës

Nga Kristi Ceta

Energjia diellore dyfishon kapacitetin global brenda 2 vitesh - Teknologjia

Kapaciteti global i energjisë diellore ka arritur në 2 TW, duke shënuar një rritje të shpejtë në dy vitet e fundit. Objektivi i Këshillit Global Diellor është ta katërfishojë këtë potencial deri në fund të dekadës.

Ndërsa liderët botërorë dhe diplomatët kryesorë të klimës u takuan në Baku për COP29, Këshilli Global Diellor deklaroi se pragu prej 2 TW i kapacitetit total fotovoltaik është arritur. U deshën vetëm dy vjet nga teravati i parë.

Shpërndarja e teknologjisë është përshpejtuar në mënyrë eksponenciale vitet e fundit, duke sjellë me vete reduktime dramatike të kostove që e bëjnë energjinë formën më të lirë në dispozicion për konsumatorët në shumë vende anembanë globit.

Industrisë fotovoltaike iu deshën 68 vjet për të arritur 1 TW të kapacitetit të instaluar dhe vetëm dy vjet për ta dyfishuar atë, sipas llogaritjeve të Këshillit Global Diellor dhe SolarPower Europe.

Ky moment thekson se si energjia diellore po bëhet shtylla kurrizore e sistemit global të energjisë, thuhet në njoftim. 2 TW energji diellore është e barabartë me kapacitetin total të instaluar të energjisë elektrike të Indisë, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar të marra së bashku. Kjo shifër është gjithashtu dy herë më e lartë se kapaciteti i përgjithshëm në Bashkimin Evropian.

Me një faktor kapaciteti 20%, 2 TW mund të furnizojnë një miliard shtëpi që konsumojnë një mesatare globale prej 3.5 MWh në vit.

Por ky është vetëm një burim, pasi panelet fotovoltaike nuk mund të prodhojnë energji elektrike pa dritën e diellit. Kjo do të thotë se është e nevojshme të kombinohen me ruajtjen e energjisë dhe burime të tjera për një furnizim 24-orësh çdo ditë.

Këshilli Global Diellor theksoi nevojën për të arritur 1.5 TW të kapacitetit global të ruajtjes dhe për të zhvilluar 25 milionë kilometra infrastrukturë të rrjetit përpara fundit të dekadës. Objektivi i vitit 2030 për energjinë diellore është 8 TW. Por më e rëndësishmja, kapaciteti global i prodhimit ka arritur tashmë në 1.1 TW në vit, nënvizoi organizata.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat