Bota Postuar më 22 Nëntor 2025, 11:01

Emiratet e Bashkuara, 50 mld USD investime në Kanada/ Marrëveshja përfshin projekte në sektorin e IA dhe energjisë

Nga Kristi Ceta

Emiratet e Bashkuara, 50 mld USD investime në Kanada/ Marrëveshja

Emiratet e Bashkuara Arabe do të investojnë deri në 50 miliardë dollarë në Kanada, në kuadër të një marrëveshjeje që përfshin projekte në sektorët e inteligjencës artificiale, energjisë dhe minierave.

Emiratet po kërkojnë të zgjerojnë investimet energjetike jashtë vendit, veçanërisht përmes kompanisë së re XRG, krahu i gjigantit shtetëror të naftës në Abu Dhabi, ADNOC. Vendi po investon gjithashtu ndjeshëm për inteligjencën artificiale, me plane për të ndërtuar një nga qendrat më të mëdha të të dhënave në botë, duke përdorur teknologjinë amerikane. Kompania teknologjike e lidhur me shtetin, G42, po udhëheq zhvillimin e industrisë së inovacionit në vend.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës së kryeministrit kanadez Mark Carney në Abu Dhabi. Gjatë fjalimit në Samitin e Investimeve, Carney deklaroi se Emiratet dhe Kanadaja janë “thellësisht të lidhura”. Ai komentoi edhe mbi ndryshimet e fundit në politikën tregtare të SHBA-së.

“Kanadezët janë bashkuar përballë ndryshimit thelbësor në politikën tregtare amerikane. Është zgjedhja dhe e drejta e tyre... Ne po përshpejtojmë projektet kryesore për të transformuar ekonominë tonë, po heqim barrierat tregtare brenda Kanadasë dhe, më e rëndësishmja, jemi këtu për të gjetur partnerë të rinj dhe për të thelluar partneritetet jashtë vendit,” u shpreh kryeministri kanadez.

Investimi i paralajmëruar nga Emiratet shihet si një nga angazhimet më të mëdha të këtij vendi në Amerikën e Veriut dhe mund të shënojë një fazë të re të bashkëpunimit ekonomik mes Abu Dhabit dhe Kanadasë, veçanërisht në fushat strategjike të teknologjisë dhe energjisë së gjelbër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat