Bota Postuar më 11 Shtator 2025, 10:20

Ellison “sfidon” Musk - Bëhet përkohësisht personi më i pasur në botë pas rritjes së Oracle me 43%

Nga Kristi Ceta

Ellison “sfidon” Musk - Bëhet përkohësisht personi

Larry Ellison, bashkëthemeluesi i gjigantit teknologjik Oracle, u bë përkohësisht personi më i pasur në botë, pasi aksionet e kompanisë u rritën deri në 43%.

Në fund të ditës së tregtimit, pasuria e Ellison u rrit me afro 90 miliardë dollarë, duke arritur në 383 miliardë dollarë, vetëm pak më poshtë se ajo e Elon Musk, i cili aktualisht mban vendin e parë me 384 miliardë dollarë, sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg.

Pas Ellison dhe Musk, renditen Mark Zuckerberg (CEO i Meta-s), Jeff Bezos (kreu i Amazon) dhe bashkëthemeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin.

Zgjerimi i shpejtë i pasurisë së Ellison lidhet me avancimin e Oracle në fushat e inteligjencës artificiale, medias dhe politikës. Rritja e aksioneve të kompanisë erdhi pas njoftimit për porosi prej mbi 450 miliardë dollarësh në shërbime cloud dhe kontrata kompjuterike me gjigantë të inteligjencës artificiale si Nvidia dhe OpenAI.

Oracle njoftoi se në muajt e ardhshëm pritet të nënshkruajë kontrata shtesë me klientë të tjerë me vlerë miliarda dollarë dhe se vlera totale e porosive së shpejti mund të kalojë 500 miliardë dollarë.

Familja Ellison ka zgjeruar gjithashtu perandorinë e saj me blerjen e fundit prej 8 miliardë dollarësh të Paramount Global, e udhëhequr nga djali i tij, David Ellison. Marrëveshja u financua pjesërisht nga pasuria familjare, me një kontribut prej 6 miliardë dollarësh.

Larry Ellison, një përkrahës i njohur i Donald Trump, vizitoi së fundmi Shtëpinë e Bardhë ku shpalli një projekt gjigant të qendrave të të dhënave në bashkëpunim me CEO-n e OpenAI, Sam Altman, dhe drejtuesin e Softbank, Masayoshi Son. Ky projekt përfshin ndërtimin e një rrjeti qendrash të dhënash me vlerë 500 miliardë dollarë, ku teknologjia e Oracle do të luajë një rol qendror.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat