Bota Postuar më 11 Dhjetor 2025, 11:05

Ekstremet e pasurisë botërore - 60,000 personat më të pasur zotërojnë më shumë se gjysma e popullsisë globale

Nga Kristi Ceta

Ekstremet e pasurisë botërore - 60,000 personat më të pasur

Një Raport i ri për Pabarazinë Globale paralajmëron se më pak se 60,000 njerëzit më të pasur në botë zotërojnë më shumë pasuri sesa gjysma e popullsisë globale së bashku.

Raporti thekson hendekët ekstreme në të ardhura dhe pasuri, që përkthehen në shpërndarje të pabarabartë të fuqisë politike, me një elitë globale që përbën vetëm 0.001% të popullsisë dhe është trefish më e pasur se gjysma më e varfër e njerëzve.

Në kontrast të thellë me pasurinë dhe fuqinë e tyre, shtresa më e lartë kontribuon pak në financat publike. Norma efektive e taksave rritet për shumicën e popullsisë, por bie ndjeshëm për miliarderët. Për ta vendosur në kontekst, punonjësit e klasës së mesme me paga të larta profesionale, si mjekët, mësuesit dhe inxhinierët, paguajnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre në taksa se një miliarder, i cili pasurinë e ka të bazuar në struktura jashtë vendit ose fitime kapitali.

“Kjo jo vetëm që nënçmon drejtësinë tatimore; por privon shoqëritë nga resurset e nevojshme për arsimin, shëndetësinë dhe veprimet për klimën,” vijon raporti.

Sipas të dhënave, sistemi ndërkombëtar monetar dhe financiar është strukturalisht i ndërtuar për të favorizuar vendet e pasura dhe për të nxjerrë resurset nga shtetet më të varfra.

“Pak vende të privilegjuara kanë avantazhin e marrjes së huave me kosto të ulët dhe investimeve në asete relativisht më fitimprurëse… ky avantazh u përshkrua për herë të parë në vitet 1960 si ‘privilegji i jashtëzakonshëm’ i Shteteve të Bashkuara,” shpjegon raporti, duke theksuar se nuk ishte rezultat i “investimeve të zgjuara, por i rolit qendror të dollarit”. Të dhënat e reja tregojnë se kjo nuk është më thjesht një veçori amerikane.

Evropa, Japonia dhe ekonomitë e tjera të avancuara gëzojnë një lloj përfitimi të ngjashëm, ndërsa vendet në zhvillim dhe me të ardhura të ulëta janë në pozicion të kundërt. Kjo përfshin pagesa të larta të interesit për borxhet e tyre, mbajtje të rezervave me rendiment të ulët dhe transferime të të ardhurave jashtë vendit çdo vit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat