Bota Postuar më 28 Mars 2026, 13:32

Buxheti i mbrojtjes së NATO-s rritet me 20%/ Mark Rutte: Një kthesë historike për Aleancën

Nga SCAN TV

Buxheti i mbrojtjes së NATO-s rritet me 20%/ Mark Rutte: Një

NATO ka shënuar një rritje të fortë të shpenzimeve ushtarake. Në raportin vjetor për 2025, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte deklaron se vendet anëtare kanë rritur buxhetin e mbrojtjes me 20%, duke e cilësuar këtë si një moment kthese për Aleancën.

Sipas të dhënave, 32 vendet e NATO-s kanë investuar rreth 94 miliardë dollarë më shumë krahasuar me një vit më parë. Mesatarisht, shpenzimet për mbrojtjen kanë arritur në 2.77% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për çdo vend, duke kaluar qartë objektivin minimal prej 2%. Në total, buxheti i përbashkët i mbrojtjes ka shkuar në rreth 1.4 trilion dollarë.

Në krahun tjetër, presidenti amerikan Donald Trump vijon me kritika të forta ndaj aleatëve. Ai është shprehur i zhgënjyer, duke thënë se vendet e NATO-s “nuk kanë bërë absolutisht asgjë”, sidomos pasi refuzuan të përfshihen në konfliktin kundër Iranit përkrah SHBA-së dhe Izraelit. Sipas tij, kjo ishte një provë për Aleancën dhe mungesa e mbështetjes “do të mbahet mend”. Por raporti i NATO-s jep një panoramë tjetër nga ajo që përshkruan Trump. Për herë të parë që nga viti 2014, të gjitha vendet anëtare kanë arritur ose tejkaluar pragun 2% të PBB-së për mbrojtjen. Rutte theksoi se kjo rritje lidhet edhe me presionin e vazhdueshëm nga SHBA, duke pranuar se për vite me radhë Europa dhe Kanadaja janë mbështetur te fuqia ushtarake amerikane më shumë sesa duhet.

Sa i përket ndarjes së shpenzimeve, disa vende janë shumë më përpara se të tjerat. Polonia dhe Lituania kryesojnë listën me nivele mbi 4% të PBB-së, ndërsa vende si Letonia, Estonia, Danimarka dhe Norvegjia ndjekin nga afër me shifra mbi 3%. Në një nivel më të ndërmjetëm qëndrojnë Finlanda, Greqia, Holanda, Suedia, Gjermania dhe Turqia, ndërsa në fund renditen Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Spanja, Kanadaja dhe Belgjika, të cilat arrijnë me vështirësi pragun minimal. Ndërkohë, Aleanca ka vendosur një objektiv edhe më ambicioz, duke synuar që shpenzimet për mbrojtjen të arrijnë në 5% të PBB-së. Sipas Mark Rutte, NATO është në rrugën e duhur për të arritur këtë synim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat