Bota Postuar më 10 Maj 2025, 11:32

Britania dhe India nënshkruajnë marrëveshje tregtare - Pakti synon uljen e tarifave për uiskin, produktet mjekësore dhe kozmetike

Nga Kristi Ceta

Britania dhe India nënshkruajnë marrëveshje tregtare - Pakti

Mbretëria e Bashkuar dhe India kanë rënë dakord për një marrëveshje të tregtisë së lirë të bllokuar prej kohësh, që do të ulë tarifat për uiskin skocez dhe shumë produkte të tjera.

Pakti vjen më shumë se tre vjet pasi negociatat filluan dhe ngecën nën udhëheqjen e qeverisë së mëparshme britanike.

Kryeministri indian Narendra Modi tha në rrjetin X se marrëveshja ishte "ambicioze dhe e dobishme për të dyja palët". Ndërsa lideri britanik Keir Starmer e quajti atë një "moment historik" që ishte "lajm fantastik për biznesin britanik, punëtorët dhe blerësit britanikë".

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se marrëveshja do të ulë taksat indiane të importit për uiskin, produktet kozmetike, mjekësore, pjesët e makinave dhe aeroplanëve dhe mallra të tjera nga Mbretëria e Bashkuar.

Tarifat e uiskit dhe xhinit do të përgjysmohen nga 150% në 75% përpara se të bien në 40% deri në vitin e dhjetë të marrëveshjes. Tarifat e automobilave do të bien nga mbi 100% në 10% sipas një kuote.

Ministria e Tregtisë e Indisë tha se 99% e eksporteve indiane nuk do të përballen me asnjë detyrim importi sipas marrëveshjes.

"Kjo na afron më shumë me qëllimin tonë për t'u bërë një fuqi globale ekonomike. Mbron interesat thelbësorë, ndërsa hap dyert për pjesëmarrje më të madhe të Indisë në zinxhirët globalë të vlerës", njoftoi Ministria e Tregtisë në Indi.

Modi theksoi se marrëveshja mbulonte tregtinë si në mallra, ashtu edhe në shërbime dhe do të "zhbllokonte potencial të ri për të zhvilluar së bashku produkte dhe shërbime për tregjet globale".

Britania tha se marrëveshja pritet të rrisë tregtinë dypalëshe me 30 miliardë euro në vit "në planin afatgjatë".

Shoqata e Uiskit Skocez tha se marrëveshja do të ishte "transformuese" për industrinë. India është një nga tregjet më të mëdha të uiskit në botë dhe pakti kishte "potencialin për të rritur eksportet e uiskit Skocez në Indi me një miliard paund gjatë pesë viteve të ardhshme".

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat