Bota Postuar më 10 Qershor 2025, 11:26

Bota zgjeron investimet për “IA” - Shitjet globale të çipeve shënojnë rreth 23% rritje

Nga Kristi Ceta

Bota zgjeron investimet për “IA” - Shitjet globale të
Shoqata e Industrisë së Gjysmëpërçuesve (SIA) ka njoftuar se shitjet globale të gjysmëpërçuesve ishin 57.0 miliardë dollarë gjatë muajit prill 2025, një rritje prej 2.5% krahasuar me totalin e marsit prej 55.6 miliardë dollarësh. Por kjo vlerë ishte 22.7% më shumë se totali i prillit të kaluar prej 46.4 miliardë dollarësh.

Shitjet mujore përpilohen nga organizata e Statistikave Botërore të Tregtisë së Gjysmëpërçuesve. Shoqata e kësaj industrie përfaqëson 99% të gjysmëpërçuesve në SHBA dhe gati dy të tretat e firmave joamerikane.

"Shitjet globale të gjysmëpërçuesve në prill u rritën në bazë mujore për herë të parë në vitin 2025, ndërsa tregu global vazhdon të shënojë rritje nga viti në vit, i nxitur nga rritja e shitjeve në Amerikë dhe rajonin Azi-Paqësor", njoftuan burime zyrtare nga Shoqata. Ata parashikojnë zgjerim të fortë të tregut global në vitin 2025, që do të vijë nga kërkesa e lartë për inteligjencën artificiale, infrastrukturën cloud dhe elektronikën e përparuar të konsumit.

Në nivel rajonal, shitjet nga viti në vit në prill u rritën në Amerikë (44.4%), Azi-Paqësor (23.1%), Kinë (14.4%), Japoni (4.3%) dhe Evropë (0.1%). Ndërsa shitjet nga muaji në muaj në prill u rritën në Kinë (5.5%), Azi-Paqësor (5.3%) dhe Evropë (0.5%), por pësuan rënie në Japoni (-0.6%) dhe vendet e Amerikës (-1.1%).

Organizata e Statistikave Botërore të Tregtisë së Gjysmëpërçuesve parashikon që shitjet vjetore globale do të rriten me 11.2%, në 700.9 miliardë dollarë në vitin 2025.

Për sa i përket vitit 2026, shitjet globale parashikohet të arrijnë në 760.7 miliardë dollarë. Organizata harton një tabelë parashikimesh gjysmëvjetore të industrisë, duke mbledhur të dhëna nga një grup i gjerë kompanish globale të çipeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat