Bota Postuar më 31 Korrik 2026, 11:04

Bordi i Paqes, marrëveshje historike për Gazën/ Çarmatim total i Hamasit dhe tërheqje e forcave izraelite nga territori

Nga Lidion Kulla

Bordi i Paqes, marrëveshje historike për Gazën/ Çarmatim

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se i ashtuquajturi Bordi i Paqes, një nismë individuale e tij, arriti një marrëveshje për çarmatimin total të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territori.

Trump tha se marrëveshja ishte “historike” dhe do të zbatohet në faza, me forcat izraelite, të cilat kontrollojnë rreth dy të tretat e Gazës që nga fundi i prillit, do të tërhiqen nga territori paralelisht me ecurinë e procesit të çarmatimit.

“Bordi i Paqes” është kritikuar nga ata që mbrojnë të drejtat e njeriut, të cilët kanë ngritur shqetësime rreth asaj që e quajnë një strukturë perandorake, e cila do të dëmtojë rolin e Kombeve të Bashkuara. Në anën tjetër, aleatët e Trump e cilësojnë nismën, si një qasje inovative për të trajtuar çështje komplekse.

Trump e propozoi për herë të parë bordin shtatorin e kaluar, kur njoftoi planin e tij për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza. Më vonë ai tha se fushëveprimi i bordit do të zgjerohej përtej Gazës, për të trajtuar konflikte të tjera në mbarë botën, ndërsa Trump u vetëshpall kryetar. Përpjekje të tilla tradicionalisht kanë qenë roli i Kombeve të Bashkuara.

Shtetet anëtare do të kufizohen në mandate 3-vjeçare, përveç rasteve kur paguajnë 1 miliard dollarë, për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësim të përhershëm, thuhet në statutin e bordit. Deri më tani, 27 shtete anembanë botës janë bërë pjesë e Bordit të Paqes, duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa mungojnë aleatët tradicionale të Shteteve të Bashkuara, si vendet kryesore europiane, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia, etj.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara në nëntor, duke e njohur bordin si një administratë kalimtare dhe të përkohshme “që do të përcaktojë kornizën ligjore dhe do të koordinojë fondet për rindërtimin e Gazës”.

Rezoluta e autorizoi bordin të vendosë një Forcë të përkohshme Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, duke e kufizuar fushëveprimin vetëm në këtë zonë, deri në vitin 2027. Bordi kërkohet të raportojë mbi progresin e tij në Këshillin e Sigurimit me 15 anëtarë, çdo gjashtë muaj.

Kina dhe Rusia abstenuan, duke argumentuar se rezoluta nuk i jepte OKB-së një rol të qartë në të ardhmen e Gazës. Përtej Gazës, mbetet e paqartë se çfarë autoriteti ligjor ose mjetesh do të ketë bordi, ose si do të punojë me OKB-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat