Bota Postuar më 6 Dhjetor 2025, 12:24

BE vijon sulmet kundër Big Tech/ Vendos gjoba ndaj platformës X, pavarësisht kundërshtimeve të Trump

Nga Kristi Ceta

BE vijon sulmet kundër Big Tech/ Vendos gjoba ndaj platformës X,

Evropa po vazhdon pa u ndalur fushatën kundër kompanive të mëdha të teknologjisë, duke vendosur gjoba ndaj Google dhe platformës X të Elon Musk. Gjithashtu, BE ka nisur hetime të reja ndaj Meta-s, duke theksuar të drejtën e saj sovrane për të zbatuar ligjet evropiane, pavarësisht kundërshtimeve të presidentit amerikan Donald Trump.

Tre muaj pasi vendosi një gjobë të papritur prej 2.95 miliardë euro ndaj Google, Komisioni Evropian caktoi një gjobë prej 120 milionë eurosh ndaj platformës X për shkelje të rregullave të Bashkimit Evropian në lidhje me përmbajtjen “online”.

Qeveria amerikane është kundërpërgjigjur duke e lidhur uljen e tarifave amerikane për importet e çelikut me dobësimin e rregullave evropiane të teknologjisë, si dhe duke urdhëruar diplomatët të nisin një fushatë lobimi kundër këtyre ligjeve.

Në qendër të debatit janë Ligji i Tregjeve Digjitale, që synon të kufizojë pushtetin e gjigantëve të teknologjisë si Amazon, Apple, Google, Meta, Microsoft, Booking.com dhe ByteDance, si dhe Ligji i Shërbimeve Digjitale, që detyron platformat e mëdha të ndërmarrin më shumë masa kundër përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme.

Një zyrtare e lartë e BE-së ka hedhur poshtë kritikat amerikane. “Është detyra jonë t’u kujtojmë të tjerëve se meritojmë respekt. Unë nuk ndërhyj në mënyrën se si ata rregullojnë standardet shëndetësore në tregun amerikan. Por jam përgjegjëse për mbrojtjen dhe funksionimin e drejtë të tregjeve digjitale në Evropë,” tha ajo.

Muajin e kaluar, Google propozoi ndryshime për t’ua bërë më të lehtë publikuesve dhe reklamuesve përdorimin e teknologjisë së reklamimit “online”, duke sfiduar kërkesën e rregullatorëve të BE-së që kompania të shesë një pjesë të biznesit për të shmangur konfliktet e interesit.

Një vendim i BE-së për këtë propozim pritet të merret në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, rregullatorët filluan një hetim të ri ndaj Meta-s dhe mund t’i urdhërojnë kompanisë të pezullojë nxjerrjen në treg të funksioneve të reja të inteligjencës artificiale në WhatsApp, të cilat, sipas BE-së, mund të dëmtojnë konkurrencën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat