Bota Postuar më 3 Shkurt 2026, 18:35

BE-SHBA gati memorandumi për partneritet strategjik mbi mineralet kritike

Nga SCAN TV

BE-SHBA gati memorandumi për partneritet strategjik mbi mineralet kritike

Bashkimi Europian është gati të nënshkruajë me Shtetet e Bashkuara një memorandum mirëkuptimi për hartimin e një “Rruge të Partneritetit Strategjik” brenda tre muajve, me fokus bashkëpunimin për mineralet kritike, raporton Bloomberg.

Sipas arikullit të botuar, partneriteti synon të gjejë së bashku mënyra për të siguruar minerale kritike, të cilat janë të nevojshme për shumicën e teknologjive moderne, pa u mbështetur te Kina. Nisma europiane vjen në një moment kur administrata Trump pritet të shpallë brenda javës iniciativa të reja për marrëveshje ndërkombëtare në këtë fushë.

Memorandumi sugjeron që BE-ja dhe SHBA-ja të eksplorojnë projekte të përbashkëta për mineralet kritike dhe mekanizmat e mbështetjes së çmimeve. Ai gjithashtu rekomandon mënyra për të mbrojtur të dy tregjet nga një mbifurnizim me minerale të jashtme dhe forma të tjera të manipulimit të tregut. Ndërkohë, propozimi thotë se të dy palët duhet të ndërtojnë zinxhirë të sigurt furnizimi midis njëra-tjetrës.

Marrëdhëniet SHBA–BE janë tensionuar javët e fundit, pas deklaratave të presidentit Donald Trump se po shqyrton mundësinë e blerjes së Grenlandës, territor i Danimarkës, vend anëtar i BE-së.

Nisma e BE-së përkon me përgatitjet e SHBA-ve për të thirrur ministra të Jashtëm dhe zyrtarë të lartë të vendeve aleate, në përpjekje për të arritur marrëveshje të ngjashme që synojnë reduktimin e varësisë nga mineralet kritike kineze. Komisioni Europian e ka cilësuar këtë proces si “jetik për diversifikimin e furnizimeve larg çdo vendi të vetëm”, pa dhënë detaje shtesë mbi përmbajtjen e bisedimeve.

Çështja është kthyer në prioritet kryesor për Uashingtonin që nga momenti kur Pekini vendosi vitin e kaluar kufizime për eksportin e të ashtuquajturave tokëra të rralla. Edhe pse këto masa u pezulluan në tetor, pas një marrëveshjeje mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, autoritetet amerikane shprehen të vendosura për të përshpejtuar ndërtimin e alternativave.

Në këtë kuadër, SHBA-të po shtyjnë për një mekanizëm çmimesh që do të mbronte kompanitë perëndimore që nxjerrin dhe përpunojnë tokëra të rralla nga konkurrenca e eksporteve të lira kineze, të cilat mund të dëmtojnë prodhimin dhe përpunimin e mineraleve në Perëndim.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat