Bota Postuar më 14 Korrik 2025, 11:13

“BE do të kërkojë një marrëveshje me SHBA” - Komisioneri i Tregtisë, Sefcovic: Por jemi gati për kundërmasa!

Nga Dorian Koça

“BE do të kërkojë një marrëveshje me SHBA”

Bashkimi Evropian do të përpiqet të arrijë një marrëveshje të mirë tregtare me Shtetet e Bashkuara, ndërsa po përgatit kundërmasa të mundshme në rast se bisedimet dështojnë, deklaroi Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic.

“Ne do të vazhdojmë të flasim me administratën amerikane dhe do t’i japim përparësi një zgjidhjeje të negociuar deri në afatin e ri të 1 gushtit. Nuk mund ta imagjinoj që do të largohemi pa asnjë përpjekje”, tha Sefcovic para një takimi me ministrat e tregtisë së BE-së në Bruksel.

Ai shtoi se, blloku duhet të përgatitet për të gjitha eventualitetet, duke përfshirë, nëse është e nevojshme, kundërmasa të menduara mirë dhe proporcionale për të rivendosur ekuilibrin. Por, Sefcovic tha se ndjesia nga ana jonë është se jemi shumë afër një marrëveshjeje.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të shtunën se do të vendoste tarifa prej 30% për shumicën e importeve të BE-së duke filluar nga 1 gushti, megjithëse ka ende kohë për të arritur një marrëveshje që do të siguronte tarifa më të ulëta. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u përgjigj se tarifat prej 30% për eksportet e BE-së do të prishnin zinxhirët thelbësorë të furnizimit transatlantik, duke dëmtuar bizneset dhe konsumatorët në të dy anët e Atlantikut.

Ajo tha se blloku evropian do ta zgjasë moratoriumin mbi kundërmasat deri në fillim të gushtit për t'i dhënë përparësi negociatave. Ndërkohë, ministri i Jashtëm danez përpara takimit në Bruksel, tha se ishte shumë herët për të vendosur kundërmasa dhe se shpresonte që BE-ja të mbetej e bashkuar në këtë front.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat