Bota Postuar më 10 Korrik 2026, 10:29

Apollo, ofertë $7.7 mld për të blerë EasyJet - Tejkalon ofertën e grupit amerikan të kreditimit, Castlelake

Nga Lidion Kulla

Apollo, ofertë $7.7 mld për të blerë EasyJet - Tejkalon

Apollo Global Management ka arritur një marrëveshje për të blerë kompaninë EasyJet, në një marrëveshje prej 5.7 miliardë paund, apo 7.7 miliardë dollarë, duke tejkaluar ofertën e grupit amerikan, Castlelake. Në një deklaratë të premten, EasyJet tha se kishte arritur një marrëveshje në parim, për një ofertë prej 7.15 paund për aksion dhe se bordi ishte i prirur t'ua rekomandonte marrëveshjen aksionarëve. Linja ajrore me kosto të ulët, e listuar në bursën e Londrës në vitin 2000, ishte planifikuar të blihej 5.5 miliardë paund nga grupi privat i kreditit, Castlelake, që kishte afat deri më 3 gusht për të bërë një ofertë zyrtare.

EasyJet refuzoi katër oferta nga Castlelake, por muajin e kaluar tha se do të hynte në bisedime, pasi kërkonte një ofertë më joshëse. Investitorët e Easyjet kishin deklaruar më herët se bordi i linjës ajrore, do të angazhohej në bisedime me Castlelake, nëse bëhet një ofertë pranë 7 paund për aksion. Të dielën, palët arritën një marrëveshje paraprake për një ofertë në “cash” nga Castlelake prej 6.90 paund për aksion, duke vlerësuar kapitalin e linjës ajrore në rreth 5.5 miliardë paund.

Por, të premten në lojë hyri Apollo, e cila bëri një ofertë më të lartë se Castlelake, duke e vendosur linjën ajrore në qendër të një lufte ofertash nga fondet private. Oferta e Apollos shënon një premium prej rreth 22% në krahasim me çmimin e mbylljes së aksioneve ditën e enjte. Gjithashtu, çmimi i ofertës së propozuar nga Apollo përfaqëson një premium prej 81% krahasuar me çmimin e mbylljes së aksioneve të EasyJet prej 3.94 paund për aksion më 28 maj, që ishte dita e fundit përpara se Castlelake të bënte ofertën.

E themeluar si një alternativë me kosto të ulët ndaj British Airëays, EasyJet është rritur ndjeshëm, duke u bërë një nga kompanitë më të mëdha në Europë. Por çmimi i aksioneve të saj ka pasur vështirësi të rikuperohet pas pandemisë së Covid-19 dhe ka mbetur prapa rivalëve të tjerë me kosto të ulët, si Ryanair dhe WizzAir.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat