Bota Postuar më 2 Shtator 2026, 10:25

Alarmi i OKB: Toka, drejt kalimit të pragut 1.5°C - Temperaturat globale mund ta tejkalojnë kufirin kritik brenda pak vitesh

Nga Edel Strazimiri

Alarmi i OKB: Toka, drejt kalimit të pragut 1.5°C - Temperaturat

Temperaturat globale pritet të tejkalojnë brenda pak vitesh pragun kritik prej 1.5 gradë Celsius, duke rritur rrezikun për valë të nxehti, përmbytje, thatësira dhe fenomene të tjera ekstreme të motit. Paralajmërimi vjen nga Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara (UNEP).

Sipas raportit të ri, tejkalimi i këtij kufiri, i vendosur si objektiv në Marrëveshjen e Parisit, tashmë konsiderohet shumë i mundshëm. Ekspertët theksojnë se edhe nëse temperaturat do të ulen më vonë, çdo vit i kaluar mbi 1.5°C do të shtojë dëmet ndaj mjedisit dhe shoqërisë.

UNEP vlerëson se rikthimi i temperaturave nën 1.5°C është ende i mundur, por “shumë i pasigurt”. Për ta arritur këtë do të nevojiteshin shkurtime të shpejta dhe drastike të emetimeve të gazeve serrë, krahas masave për largimin e dioksidit të karbonit nga atmosfera.

Raporti paralajmëron për pasoja të rëndësishme për ekosistemet, akullnajat dhe qytetet bregdetare, ndërsa rritja e temperaturave do të intensifikonte edhe kushtet ekstreme të motit.

Në skenarin më optimist, nëse vendet zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre aktuale për klimën, ngrohja globale mund të arrijë një maksimum prej rreth 1.8°C mbi nivelet para-industriale.

Por situata është shumë më shqetësuese nëse vazhdojnë politikat aktuale. Sipas UNEP, me masat që janë sot në fuqi, temperatura mesatare globale mund të arrijë rreth 2.6°C deri në vitin 2100.

Një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe largimi i karbonit nga atmosfera, përmes metodave që përfshijnë pyllëzimin dhe krijimin e pyjeve të reja. Megjithatë, OKB-ja thekson se këto masa nuk mund të zëvendësojnë uljen e fortë të emetimeve.

“Çdo vit vonesë dhe çdo pjesë e një shkalle mbi 1.5°C rrit rreziqet”, paralajmëron UNEP, duke theksuar se disa prej dëmeve mund të jenë të pakthyeshme, edhe nëse temperaturat bien në të ardhmen.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat