Bota Postuar më 23 Maj 2025, 11:45

Administrata Trump “godet” Harvardin - Ndalon regjistrimin e studentëve të huaj në universitet

Nga Kristi Ceta

Administrata Trump “godet” Harvardin - Ndalon regjistrimin e

Administrata e Presidentit Donald Trump, i hoqi Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë dhe po i detyron studentët e huaj aktualë të transferohen në shkolla të tjera ose të humbasin statusin e tyre ligjor. Gjithashtu, Trump kërcënon të zgjerojë masat e rrepta në kolegje të tjera.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, urdhëroi departamentin të ndërpresë certifikimin e Programit të Studentëve dhe Vizitorëve të Universitetit të Harvardit, që ishte në fuqi për vitin shkollor 2025-2026, tha departamenti në një deklaratë.

Noem akuzoi universitetin për "nxitje të dhunës, antisemitizmit dhe koordinim me Partinë Komuniste Kineze". Harvardi tha se masa e administratës Trump, e cila prek mijëra studentë, ishte e paligjshme.

Vendimi shënoi një përshkallëzim të ndjeshëm të fushatës së administratës Trump kundër universitetit elitar Ivy League në Kembrixh, Massachusetts, që është shfaqur si një nga objektivat më të shquar institucionalë të Trump. Masa erdhi pasi Harvardi refuzoi të jepte informacionin që Noem kërkoi në lidhje me disa mbajtës të vizave të studentëve të huaj, tha departamenti.

Universiteti regjistroi gati 6,800 studentë ndërkombëtarë në vitin shkollor 2024-2025, duke arritur në 27% të numrit të përgjithshëm të studentëve, sipas statistikave të universitetit.

Në vitin 2022, shtetasit kinezë ishin grupi më i madh i studentëve të huaj me 1,016 të tillë, treguan shifrat e universitetit. Pas tyre ishin studentë nga Kanadaja, India, Koreja e Jugut, Britania, Gjermania, Australia, Singapori dhe Japonia.

"Është një privilegj, jo një e drejtë, që universitetet të regjistrojnë studentë të huaj dhe të përfitojnë nga pagesat e tyre më të larta të shkollimit për të ndihmuar në plotësimin e fondeve të tyre miliarda dollarëshe", tha Noem në një deklaratë.

Harvardi e quajti veprimin e qeverisë "të paligjshëm" dhe tha se ishte "plotësisht i përkushtuar" për edukimin e studentëve të huaj. "Ky veprim hakmarrës kërcënon komunitetin dhe vendin tonë, si dhe dëmton misionin akademik dhe kërkimor të Harvardit", tha universiteti në një deklaratë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat