Bota Postuar më 9 Dhjetor 2025, 12:38

2025, një vit historik për arin - A mund të rritet më tej vlera e tij vitin e ardhshëm?

Nga Kristi Ceta

2025, një vit historik për arin - A mund të rritet më tej

Viti 2025 ishte historik për arin, me një rritje mbi 60% të vlerës, i nxitur nga blerjet e bankave qendrore, tensionet gjeopolitike dhë dobësimi i dollarit. Për vitin e ardhshëm, ekonomistët parashikojnë një treg relativisht të stabilizuar, por nuk mungojnë skenarët alternativë.

Viti 2025 ishte historik për arin, me një rritje mbi 60% dhe me arritjen e më shumë se 50 rekordeve të reja. Zgjerimi i vlerës e vendosi metalin e çmuar në rrugën e duhur për të arritur vitin më të suksesshëm që nga 1979.

Pas kësaj ngritjeje të jashtëzakonshme, investitorët dhe analistët po shqyrtojnë nëse trendi mund të vazhdojë në 2026. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku një ngjarje e vetme ndikonte në lëvizjen e çmimeve, gjatë 2025 çmimet e arit u nxitën nga një kombinim faktorësh. Bankat qendrore blenë vazhdimisht metalin, ndërsa tensionet gjeopolitike, pasiguria tregtare, normat e ulëta të interesit dhe dobësimi i dollarit amerikan gjithashtu kontribuuan në rritjen e kërkesës. Sipas World Gold Council, tensionet gjeopolitike dhe dobësimi i dollarit dhanë kontribute të rëndësishme në performancën vjetore, ndërsa pozicionimi i investitorëve dhe zgjerimi ekonomik shtuan më tej forcën e rritjes.

Megjithatë, 2026 fillon nga një pikë themelore e ndryshme; çmimet e arit tashmë kanë reflektuar pritshmëritë makroekonomike për rritje konstante globale, ulje modeste të normave në SHBA dhe një dollar relativisht të qëndrueshëm. Në këtë ambient, ari duket i vlerësuar në mënyrë të drejtë, me normat reale të interesit që nuk do të bien ndjeshëm. Dëshira e investitorëve për rrezik pritet të mbetet e balancuar. Për këtë arsye, në skenarin bazë, parashikohet që ari të tregtohet brenda një pragu të ngushtë prej –5% deri në +5% gjatë 2026.

Megjithatë, ka disa skenarë alternativë që mund ta ndryshojnë këtë rrugëtim. Në rast rritjeje më të ngadaltë dhe uljeje të moderuar të normave të Rezervës Federale, ari mund të rritet 5–15%, pasi investitorët do të zhvendosen drejt aseteve mbrojtëse. Ndërsa një recesion më i thellë do ta shtonte vlerën e metalit me 15–30%, për shkak të lehtësimit monetar më agresiv, rënies së fitimeve të Thesarit dhe flukseve të forta të investitorëve drejt asetëve të sigurta.

Nga ana tjetër, nëse politikat e administratës Trump arrijnë të ringjallin rritjen ekonomike, një rikthim i reflacionit mund të rrisë normat e interesit dhe dollarin, duke tkurrur çmimin e arit me 5% deri në 20%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat