Lajme Postuar më 30 Korrik 2025, 17:29

BE: Nga 12 tetori rregulla të reja udhëtimi në zonën Schengen - Ndryshimet prekin 60 vende, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor

Nga SCAN TV

BE: Nga 12 tetori rregulla të reja udhëtimi në zonën

Bashkimi Evropian njoftoi se sistemi i ri i kontrollit kufitar për shtetasit që nuk janë nga blloku evropian, që i jep fund vendosjes së vulave në pasaporta, nis zbatimin në 12 tetor. I njohur si Sistem i Hyrje/Daljes (EES) ai ishte paraparë të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por u shty pasi disa shtete nuk ishin të gatshme ta zbatonin. Komisioni Evropian ka vendosur 12 tetorin 2025 si datë për nisjen e operacioneve për zbatimin e sistemit tw ri. Nga 12 tetori e tutje, nis gradualisht zbatimi në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, tha BE-ja.

Sistemi pritet të vlejë për rreth 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen në BE, por edhe vende të tjera si Zvicra, Norvegjia, Islanda e Lihtenshtajni, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.

EES-ja do të regjistrojë datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve dhe do të ketë të dhëna për qëndrimet e tejzgjatura dhe hyrjet e refuzuara. Sipas sistemit të ri, udhëtarëve do t’u mblidhen të dhënat personale dhe biometrike – fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë. Komisioni Evropian tha se për udhëtarët do të ketë fushata informuese në aeroporte dhe në pikëkalime kufitare në mbarë BE-në para se të nisë zbatimi i sistemit. Sipas tij, periudha gjashtëmujore, sa është vendosur koha për përshtatjen me këtë sistem, është kohë e mjaftueshme për shtetet anëtare, udhëtarët dhe bizneset që të përshtaten me sistemin e ri.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat