Amerika Postuar më 31 Janar 2026, 11:20

Trump zgjedh Kevin Warsh në krye të FED - Argjendi bie me 28%, dita më e keqe që nga marsi i vitit 1980

Nga Lidion Kulla

Trump zgjedh Kevin Warsh në krye të FED - Argjendi bie me 28%, dita

Presidenti amerikan, Donald Trump emëroi Kevin Warsh, për të pasuar Jerome Powell në krye të Rezervës Federale, duke i dhënë fund një odiseje të zgjatur që ka trazuar bankën qendrore. Vendimi kulmon një proces që zyrtarisht filloi verën e kaluar, por që filloi shumë më herët se kaq, me Trump që nisi një breshëri kritikash kundër Rezervës Federale të udhëhequr nga Powell, pothuajse që kur ai mori detyrën në vitin 2018.

“E njoh Kevinin për një periudhë të gjatë kohore dhe nuk kam dyshim se ai do të mbahet mend si një nga Kryetarët më të shkëlqyer të Rezervës Federale, ndoshta më i miri”, tha Trump në një postim në Truth Social.

Warsh tani do të përballet me konfirmimin e Senatit. Nëse votohet, ai do të marrë përsipër pozicionin në maj, kur të skadojë mandati i Powell. Warsh do të zërë pozicionin e Bordit të Guvernatorëve që aktualisht mbahet nga Guvernatori Stephen Miran, mandati i të cilit skadoi të shtunën. Miran mund të vazhdojë të shërbejë derisa të emërohet një zëvendësues.

Tregjet e aksioneve reaguan minimalisht ndaj këtij lajmi, por humbësit më të mëdhenj ishin ari dhe argjendi. Kontratat spot të argjendit ranë me rreth 28%, në rreth 85 dollarë për onz, duke shënuar ditën më të keqe që nga marsi i vitit 1980. Ndërsa ari ra me rreth 9%, pranë nivelit të 4880 dollarëve. Në anën tjetër, indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare u rrit me 0.8%.

Që nga konfirmimi i Powell në vitin 2018, në mandatin e parë të Trump, presidenti ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj politikëbërësve për të ulur normat e interesit në mënyrë agresive. Edhe me tre ulje të njëpasnjëshme në pjesën e dytë të vitit 2025, Trump vazhdoi sulmet, madje duke akuzuar Powell për tejkalimet e kostove, gjatë rinovimit të selisë së Rezervës Federale në Uashington.

Vendimi i Trump për të emëruar Warsh vjen në një nga momentet më të pasigurta për bankën qendrore amerikane, me inflacionin që nuk është mposhtur plotësisht, huamarrjen qeveritare që po përshkallëzohet dhe vetë Rezervën Federale që përballet me një presion të pazakontë politik, mbi mënyrën se si zhvillon politikën monetare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat