Amerika Postuar më 11 Dhjetor 2025, 09:54

Trump prezanton programin “Gold Card” - Viza të përshpejtuara me një kosto prej 1 milion dollarësh

Nga Kristi Ceta

Trump prezanton programin “Gold Card” - Viza të

Administrata e Presidentit Donald Trump ka prezantuar zyrtarisht programin e vizave “Trump Gold Card”, që u ofron të huajve një rrugë të shpejtë për të marrë leje qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, por me një çmim shumë të lartë.

Faqja zyrtare Trumpcard.gov, që përfshin një buton “apliko tani”, u mundëson aplikantëve të paguajnë një tarifë prej 15,000 dollarësh në Departamentin e Sigurisë Kombëtare për proces të përshpejtuar. Pas verifikimit të historikut dhe kontrolleve të sigurisë, aplikantët duhet të japin një “kontribut” prej 1 milion dollarësh për të marrë vizën, e ngjashme me një Kartë të Gjelbër (Green Card), që u jep atyre të drejtën të jetojnë dhe të punojnë në SHBA.

“Në thelb është një Kartë e Gjelbër, por shumë më e mire, shumë më e fuqishme, një rrugë shumë më e fortë,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Procesi është shumë i rëndësishëm. Duhet të jenë njerëz të shkëlqyer,” shtoi ai.

Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, tha se rreth 10,000 njerëz ishin regjistruar paraprakisht dhe se priste shumë më tepër në muajt e ardhshëm. “Me kalimin e kohës, presim të shesim mijëra karta dhe të mbledhim miliarda dollarë,” tha Lutnick.

Ai theksoi se programi Gold Card do të sillte në SHBA persona që do të përmirësonin ekonominë. Sipas Lutnick, mbajtësit “mesatarë” të Kartës së Gjelbër, fitojnë më pak se amerikanët dhe kanë më shumë gjasa të marrin ndihmë shtetërore.

Administrata Trump ka ndërmarrë një masa të forta ndaj emigracionit, duke deportuar qindra mijëra persona që ndodheshin ilegalisht në vend dhe duke kufizuar edhe emigrimin e ligjshëm. Programi i ri shihet si një kundërpeshë fitimprurëse ndaj kësaj politike, një mënyrë për të sjellë të ardhura në Thesarin e SHBA-së. Trump ka përdorur të njëjtën strategji për të justifikuar dhe mbrojtur tarifat tregtare.

Lutnick bëri të ditur gjithashtu se ekziston edhe një version korporativ i Gold Card, që u lejon kompanive të marrin viza të përshpejtuara për punonjësit e tyre, kundrejt një kontributi prej 2 milionë dollarësh për çdo punonjës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat