Amerika Postuar më 12 Dhjetor 2025, 10:21

Trump kufizon ligjet ndaj IA - Nënshkruan ligjin që “frenon” rregulloret shtetërore të teknologjisë

Nga Kristi Ceta

Trump kufizon ligjet ndaj IA - Nënshkruan ligjin që

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për inteligjencën artificiale, që synon të parandalojë rritjen e numrit të ligjeve të ndryshme shtetërore mbi këtë teknologji, duke vendosur një standard kombëtar.

"Duam të kemi një burim të vetëm qendror aprovimi," u tha Trump gazetarëve, i shoqëruar nga këshilltarët e tij të lartë, përfshirë Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent.

Urdhri do t’i japë administratës Trump mjetet “për të kundërshtuar rregulloret më të ashpra shtetërore,” tha këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për inteligjencën artificiale, David Sacks. Ai shtoi se administrata nuk do të kundërshtojë rregullat që lidhen me sigurinë e fëmijëve ndaj teknologjisë.

Kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale, duke përfshirë OpenAI, Google, Meta Platforms dhe firmën e kapitalit sipërmarrës Andreessen Horowitz, kanë deklaruar se qeveria federale duhet të rregullojë industrinë, jo shtetet.

Megjithatë, drejtues shtetërorë nga të dyja partitë politike janë shprehur se kanë nevojë për të vendosur kufizime të qarta ndaj inteligjencës artificiale, sidomos pasi Kongresi ka dështuar vazhdimisht të miratojë ligje për industrinë teknologjike.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka propozuar një “Deklaratë të të Drejtave për IA” që përfshin privatësinë e të dhënave, kontrollet prindërore dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shteti i të cilit është shtëpia e disa prej kompanive më të mëdha teknologjike, ka miratuar këtë vit një ligj që kërkon nga zhvilluesit kryesorë të shpjegojnë planet e tyre për të zbutur rreziqet potencialisht katastrofike.

Shtete të tjera kanë miratuar ligje që ndalojnë imazhet seksuale të krijuara me inteligjencë artificiale pa pëlqim, si dhe videot politike të rreme të gjeneruara nga teknologjia e re.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat