Amerika Postuar më 13 Nëntor 2025, 10:20

SHBA i thotë “lamtumirë” monedhës 1 cent - Ndalimi i prodhimit pritet të kursejë 56 milionë dollarë në vit

Nga Kristi Ceta

SHBA i thotë “lamtumirë” monedhës 1 cent - Ndalimi i

Kreu i Thesarit në SHBA, Brandon Beach, vizitoi fabrikën e Filadelfias për të mbikëqyrur prodhimin e fundit të monedhës 1 cent, duke mbyllur 232 vite të prodhimit të saj në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në shkurt se po urdhëron Thesarin të ndalojë prodhimin, të cilin ai e quajti “të tepërt”, duke detyruar stacionet e karburantit, rrjetet e ushqimit të shpejtë dhe dyqanet e mëdha të rregullojnë çmimet dhe të rrumbullakosin transaksionet me para në dorë.

Thesari tha se rritja e kostove të prodhimit dhe ndryshimet e shpejta në zakonet e konsumatorëve e bënin prodhimin e monedhës “financiarisht të papërshtatshëm” dhe të panevojshëm, duke theksuar se tani kushton 3.69 cent për të prodhuar një të tillë, nga 1.42 cent dhjetë vjet më parë.

Ndërprerja e prodhimit pritet të kursejë rreth 56 milionë dollarë në vit për fabrikën e SHBA-së, sipas Thesarit. Monedhat 1 cent do të mbeten të ligjshme, me rreth 300 miliardë prej tyre në qarkullim, “shumë më tepër se sa nevojitet për tregti”.

Shtetet e Bashkuara u bashkohen vendeve të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Australinë, Irlandën dhe Zelandën e Re, që po heqin gradualisht monedhat me vlerë më të ulët, duke rrumbullakosur transaksionet me para në dorë deri në pesë cent më shumë ose më pak, ndërsa pagesat elektronike mbeten të sakta.

Monedha 1 cent doli në treg për herë të parë në vitin 1793. Që nga viti 1909, profili i Presidentit Abraham Lincoln ka qenë në anën e përparme prej zinku dhe bakri.

Megjithatë, për shumë amerikanë, kjo monedhë është bërë një shqetësim, që përfundon shpesh duke u hedhur në sirtarë, kavanoza dhe kursime të vogla.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat