Amerika Postuar më 2 Korrik 2025, 11:16

Senati amerikan miraton projektligjin për taksat - Dokumenti parashikon rritje të deficitit, shkurtim të programeve sociale

Nga Kristi Ceta

Senati amerikan miraton projektligjin për taksat - Dokumenti parashikon

Senati amerikan miratoi me një shumicë të ngushtë projektligjin e Donald Trump për taksat dhe shpenzimet. Dokumenti është kritikuar nga opozita për shkak të rritjes së borxhit dhe shkurtimeve në programet sociale.

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi me një diferencë të ngushtë votash projektligjin e administratës Trump për taksat dhe shpenzimet, të quajtur "Një Projektligj i Madh dhe i Bukur", i cili pritet të shtojë rreth 3.3 trilionë dollarë amerikanë në deficit deri në vitin 2034.

Senati i kontrolluar nga republikanët e miratoi projektligjin me 51 vota pro dhe 50 kundër, pas një procesi maratonë votimi që filloi të hënën në mëngjes. Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, theu barazimin 50-50 duke hedhur një votë në favor të dokumentit.

Legjislacioni përfshin më shumë shpenzime për sigurinë kufitare, mbrojtjen dhe prodhimin e energjisë, me shkurtime në kujdesin shëndetësor, programet ushqimore dhe subvencionet për automjetet elektrike. Projektligji zgjat Aktin e Uljes së Taksave dhe Punësimit të vitit 2017 të Donald Trump, që pritet të skadojë në fund të vitit 2025.

Projektligji do të shtonte rreth 3.3 trilionë dollarë deficit në dekadën e ardhshme, më i lartë se deficiti prej 2.8 trilionë dollarësh në versionin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve më 22 maj.

Për më tepër, Dhoma e Përfaqësuesve duhet të miratojë rishikimet e versionit të projektligjit, që u miratua në maj. Trump u ka kërkuar ligjvënësve ta miratonin projektligjin para 4 korrikut.

Shkurtimet e shpenzimeve për programet e kujdesit shëndetësor dhe ushqyerjes, si dhe zgjatja e shkurtimeve të taksave tërhoqën kritika nga demokratët dhe kundërshtimin e disa republikanëve kryesorë në Senat. Sipas të dhënave, projektligji do të shkurtonte rreth 930 miliardë dollarë shpenzime për kujdesin shëndetësor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat