Amerika Postuar më 30 Tetor 2025, 10:21

Rezerva Federale e SHBA ul normat e interesit - Kreu i Fed paralajmëron: Mund të jetë ndryshimi i fundit për 2025

Nga Kristi Ceta

Rezerva Federale e SHBA ul normat e interesit - Kreu i Fed paralajmëron:

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara uli normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje dhe njoftoi se do të rifillojë blerjet e kufizuara të letrave me vlerë të Thesarit. Kjo masë erdhi pasi tregjet monetare treguan shenja të mungesës së likuiditetit, një situatë që banka qendrore amerikane është zotuar ta shmangë.

Ulja e normës, që mori parasysh kufizimet e të dhënave për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë federale, hasi në kundërshtime nga dy anëtarë të komitetit.

Vendimi për bilancin do ta mbajë shumën totale të aseteve të bankës qendrore të pandryshuar çdo muaj që nga 1 dhjetori, por do të ndryshojë përbërjen e portofolit duke riinvestuar të ardhurat nga obligacionet e mbështetura me hipotekë në bono të Thesarit.

Vendimi në raportin 10 me 2 uli normën e politikës monetare në intervalin 3.75%–4.00%, siç pritej nga investitorët, për të zbutur rënien e mëtejshme të tregut të punës. Politikëbërësit ishin të shqetësuar se punësimi mund të humbte vrullin në rast se nuk merreshin masat e duhura.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas mbledhjes, kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, paralajmëroi për pasigurinë e zhvillimeve të ardhshme. “Gjatë diskutimeve të komitetit në këtë takim pati mendime shumë të ndryshme për mënyrën se si duhet vepruar në dhjetor,” tha Powell. “Një ulje e mëtejshme e normës në dhjetor nuk është e sigurt. Përkundrazi, politika nuk ndjek një trajektore të paracaktuar,” shtoi ai.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat