Amerika Postuar më 1 Tetor 2025, 09:51

Mbyllet qeveria e SHBA-së - Nuk arrihet marrëveshja mes palëve për financimin e përkohshëm

Nga Kristi Ceta

Mbyllet qeveria e SHBA-së - Nuk arrihet marrëveshja mes palëve

Qeveria federale e SHBA-së ka nisur procedurat e mbylljes ditën e mërkurë, vetëm disa orë pasi Senati amerikan nuk arriti të miratonte një projektligj afatshkurtër për financimin e përkohshëm të qeverisë.

Kjo shënon mbylljen e parë të qeverisë pas gati shtatë vitesh. Mbyllja e fundit dhe gjithashtu më e gjata e qeverisë federale ndodhi nga fundi i vitit 2018 deri në fillim të 2019-s, gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump. Në atë periudhë, demokratët kundërshtuan financimin e propozuar nga lideri republikan për ndërtimin e murit në kufirin SHBA-Meksikë. Mosmarrëveshjet mes partive për çështjen e emigracionit çuan në një mbyllje që zgjati 35 ditë, gjatë së cilës rreth 800,000 punonjës federalë u detyruan të punonin pa pagesë ose të merrnin leje të papaguar.

Edhe këtë herë, qindra mijëra punonjës federalë do të detyrohen të marrin leje pa pagesë, me disa shërbime publike që mund të pezullohen ose vonohen. Gjithashtu, publikimi i të dhënave ekonomike mund të ndikohet.

Në Senat, demokratët bllokuan një rezolutë të përkohshme të propozuar nga republikanët për të mbajtur të hapur qeverinë. Masa nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme, duke mos i kaluar 60 votat e kërkuara për miratim.

Përfitimet shëndetësore janë një nga çështjet kyçe që kanë shkaktuar përçarje mes palëve. Demokratët po kërkojnë përmirësim të përfitimeve shëndetësore, duke përfshirë zgjatjen e subvencioneve të Ligjit për Kujdes të Përballueshëm, që skadojnë në fund të vitit. Nga ana tjetër, republikanët janë kundër këtyre masave dhe kanë propozuar që financimi aktual i qeverisë të vazhdojë përkohësisht, për të fituar më shumë kohë për negociata.

Fondet operacionale për qeverinë federale amerikane sigurohen përmes buxheteve vjetore. Në teori, Kongresi pritet të miratojë projektligjet përkatëse para fillimit të vitit të ri fiskal më 1 tetor. Megjithatë, në vitet e fundit, përplasjet e ashpra partiake kanë penguar arritjen e marrëveshjeve në kohë. Sipas raporteve të mediave amerikane, republikanët në Senat planifikojnë të zhvillojnë një tjetër votim për projektligjin të mërkurën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat