Amerika Postuar më 15 Tetor 2025, 09:58

“Ekonomia amerikane, e qëndrueshme” - Kreu i Rezervës Federale: Por, tregu i punës mbetet i dobët

Nga Kristi Ceta

“Ekonomia amerikane, e qëndrueshme” - Kreu i Rezervës

Kryetari i Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell, deklaroi se ekonomia amerikane mund të jetë në një trajektore më të qëndrueshme sesa pritej, por tregu i punës vazhdon të jetë i dobët, me nivele të ulëta si të punësimeve, ashtu edhe të pushimeve nga puna. Në një konferencë të Shoqatës Kombëtare për Ekonominë e Biznesit në Filadelfia, ai tha se politika monetare do të përcaktohet "takim pas takimi".

Powell theksoi se zyrtarët e Fed janë të ndarë mes atyre që shqetësohen për inflacionin që mund të rritet dhe atyre që shohin një dobësim të shpejtë të tregut të punës. Ai vuri në dukje se, ndonëse të dhënat e fundit ekonomike kanë qenë më të forta se pritej, kjo nuk është reflektuar në një rritje të punësimeve. “Ekziston një tension mes të dhënave të dobëta të tregut të punës dhe konsumit që vazhdon të jetë i lartë,” tha ai.

Një vështirësi tjetër për analizën e situatës ekonomike është mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane, që ka pezulluar publikimin e disa të dhënave zyrtare. Sidoqoftë, Powell nënvizoi se Fed ka ende informacion të mjaftueshëm për të marrë vendime në takimin e ardhshëm të politikës monetare më 28-29 tetor.

Sipas tij, të dhënat e disponueshme nuk tregojnë ndonjë ndryshim të madh në perspektivën për punësimin apo inflacionin krahasuar me mbledhjen e fundit të Fed në shtator, ku norma bazë e interesit u ul me 0.25 pikë përqindjeje.

Komentet e Powell nuk ndryshuan pritshmëritë e investitorëve, të cilët presin një tjetër ulje të normave së interesit me 0.25 pikë përqindjeje në fund të muajit. Analistët thonë se ai po përgatit tregjet për një seri të mundshme uljesh, por jo domosdoshmërisht të njëpasnjëshme.

Powell theksoi gjithashtu debatin e brendshëm në Fed, ku rreth gjysma e zyrtarëve parashikojnë vetëm një ose asnjë ulje tjetër të normës gjatë këtij viti, ndërsa pjesa tjetër mendojnë se nevojiten dy ose më shumë ulje. Kjo tregon për sfidën me të cilën përballet Fed në përpjekjet për të arritur objektivin prej 2% për inflacionin, ndërsa mbron njëkohësisht tregun e punës.

Edhe pse raporti zyrtar për punësimin në shtator është vonuar, Powell tha se të dhënat nga burime publike dhe private tregojnë se punësimet dhe pushimet nga puna mbeten në nivele të ulëta, ndërkohë që perceptimi i familjeve dhe bizneseve për tregun e punës është përkeqësuar.

Përsa i përket inflacionit të lartë, kreu i Fed nënvizoi se një pjesë e tij vjen nga rritja e çmimeve të mallrave, që lidhen më shumë me tarifat tregtare sesa me presione më të gjera inflacioniste.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat