Rajoni Postuar më 28 Tetor 2025, 09:27

Sa vlen realisht paga minimale në Maqedoninë e Veriut? - Nuk mbulon nevojat bazike të familjeve. Çmimet e ushqimeve, mbi 30% rritje

Nga Kristi Ceta

Sa vlen realisht paga minimale në Maqedoninë e Veriut? - Nuk mbulon

Në letër, paga minimale në Maqedoninë e Veriut është 24,379 denarë apo rreth 397 euro. Por në realitet, kur i mbledh të gjitha shifrat, si çmimet, faturat, qiranë dhe ushqimet, ajo vlen më pak se kurrë.

Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se shporta minimale e konsumit sindikal për një familje me katër anëtarë arrin mbi 50,000 denarë apo 813 euro. Kjo do të thotë që për nevojat themelore, paga më e ulët mbulon vetëm gjysmën e asaj që i nevojitet realisht një familjeje.

Ekonomistët shpjegojnë se vlera reale e pagës minimale “konsumohet” nga inflacioni.

“Në tre vitet e fundit, çmimet e ushqimeve janë rritur me mbi 30%. Kjo do të thotë që me të njëjtat para’ mund të blini dukshëm më pak sot sesa në vitin 2021. Paga reale, në fakt, ka rënë me të paktën 15%”, thonë ekspertët.

Vetëm për produktet bazë, si buka, qumështi, mishi, vezët, perimet, një familje me katër anëtarë shpenzon më shumë se 325 euro në muaj. Kjo shifër nuk përfshin ilaçet, karburantin, transportin apo materialet shkollore.

Punëdhënësit, nga ana tjetër, thonë se nuk është e lehtë të rriten pagat pa pasoja për kompanitë. “Problemi është i dyfishtë”, thotë një pronar i një fabrike të vogël. “Nëse e rrisim pagën minimale, duhet t’i rrisim të gjitha pagat. Dhe ne tashmë po punojmë me një diferencë të vogël, energjia elektrike dhe transporti janë më të shtrenjta, dhe në fund rezulton se shteti nuk po ndihmon as njërën palë, as tjetrën.”

Por sindikatat pretendojnë se është një “refren klasik” i dëgjuar prej vitesh. “Një punëtor nuk mund të jetojë në prag të varfërisë, ndërsa shefat grumbullojnë fitime dhe blejnë makina të reja», reagojnë anëtarët e sindikatave. Ata kërkojnë që paga minimale të jetë në përputhje me shportën reale të konsumatorit, siç bëhet në pjesën më të madhe të vendeve evropiane.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat