Analiza Postuar më 27 Shkurt 2025, 16:04

Si po ndryshojnë aleancat globale? - BE synon të forcojë partneritetin me Indinë, pas tensioneve me Trump

Nga Kristi Ceta

Si po ndryshojnë aleancat globale? - BE synon të forcojë

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nisi vizitën e saj dyditore në Indi, e shoqëruar nga të gjithë drejtuesit më të lartë të degës ekzekutive të Bashkimit Evropian.

India dhe Bashkimi Evropian tashmë bashkëpunojnë ngushtë për çështje si politika e jashtme, mbrojtja dhe zhvillimi i teknologjisë. Brukseli po shton përpjekjet për të finalizuar një marrëveshje të tregtisë së lirë të vonuar prej kohësh me vendin më të populluar në botë.

Ministria e Jashtme indiane thotë se vizita do të hapë rrugën për "forcimin e partneritetit dypalësh bazuar në konvergjencat në rritje".

Të dyja palët shpresojnë të rrisin bashkëpunimin në inovacionin digjital dhe fushat e teknologjisë së qëndrueshme me takimin e Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë Indi-BE, një organ dypalësh i përbërë nga komisionerë të zgjedhur të bllokut dhe ministra indianë.

BE provon të 'diversifikojë partneritetet'

Ekspertët dhe diplomatët e politikës së jashtme thonë se Bashkimi Evropian aktualisht është i prirur të reduktojë varësinë nga aleatët tradicionalë si Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që është ende i kujdesshëm ndaj Kinës.

"Vizita vjen në një moment kritik teksa Evropa lundron në një aleancë transatlantike të lëkundur dhe një presidencë përçarëse të Trump. Kjo gjithashtu vjen mes shqetësimeve të vazhdueshme nga Kina dhe Rusia," thonë analistët.

"Kjo sjellje përçarëse e fuqive të mëdha që i dha bllokut siguri, mallra dhe energji të lirë, e shtyn BE-në të diversifikojë në mënyrë aktive partneritetet e saj dhe India është shfaqur si një partner natyral," shtuan ata.

Marrëveshja tregtare, ende e pavendosur

India dhe BE-ja po përpiqen të përshpejtojnë një marrëveshje të tregtisë së lirë dhe të nxisin bashkëpunimin në teknologjinë e pastër.

Gjermania dhe India kërkojnë lidhje më të forta ekonomike në bisedimet në Delhi. Por çështje të shumta në lidhje me marrëveshjen tregtare, duke përfshirë aksesin në treg për produkte të tilla si makinat apo pijet alkoolike, janë ende duke shkaktuar probleme.

Ekzistojnë gjithashtu dallime në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, veçanërisht këmbëngulja e Indisë që investitorët të shterojnë mjetet juridike lokale në vend përpara se të kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar. Raundi tjetër i negociatave do të zhvillohet në mars.

Përgjigje ndaj Kinës

Studiuesit evropianë thotë se zgjerimi i lidhjeve me BE-në shkon përtej marrëveshjes së tregtisë së lirë. "Edhe nëse një marrëveshje tregtare mbetet e paarritshme, fragmentimi aktual gjeopolitik global ofron mundësi të reja bashkëpunimi për dy entitetet më të mëdha demokratike në botë, në fusha të tilla si teknologjia dhe ndërlidhja,” theksojnë ata.

India është angazhuar gjerësisht me fuqitë e mëdha evropiane në një bazë dypalëshe, por analistët nënvizojnë rëndësinë e nxitjes së marrëdhënieve me BE-në si bllok.

Të dyja palët po eksplorojnë në mënyrë aktive rrugë të reja përmes iniciativave të tilla si Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë dhe Korridori Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë, i cili synon të forcojë trafikun dhe komunikimin midis Evropës dhe Azisë. Ky korridor shpesh përshkruhet si një përgjigje ndaj programit ambicioz të Kinës, shumë miliarda dollarësh "Belt and Road".

Sipas analistëve, angazhimi i Indisë me BE-në është zgjeruar përtej fokusit të saj tradicional drejt shteteve kryesore, duke krijuar lidhje të reja me nordikët, Evropën Qendrore e Lindore dhe rajonin e Mesdheut.

BE dëshiron të mos rrezikojë me Kinën

Megjithatë, lidhjet midis Nju Delhit dhe Brukselit nuk janë ende plotësisht të optimizuara. Ndërsa punon me SHBA-në dhe BE-në, India gjithashtu krenohet me lidhje të forta me Rusinë.

BE mbetet kritike ndaj pozicionit të Indisë për luftën në Ukrainë. Nga ana tjetër, India e konsideron mekanizmin e taksës së karbonit të bllokut dhe legjislacionin për shpyllëzimin si të padrejtë.

Pavarësisht këtyre dallimeve, si India ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë një partneritet strategjik që prek çështje si siguria, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm. India gjithashtu nuk është imune ndaj tensioneve aktuale gjeopolitike që vijnë nga SHBA. Vendi po vlerëson përgjigjen ndaj veprimeve të njëanshme të administratës Trump në lidhje me tarifat dhe emigracionin.

Luftërat tregtare të Trump: Çfarë pritet për Indinë dhe botën?

Vizita nga Ursula von der Leyen dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së paraqet një shans për "dialog serioz" në lidhje me një sërë çështjesh. Këto përfshijnë "tregtinë, teknologjinë e gjelbër, arsimin, shëndetin, inteligjencën artificiale, zgjerimin e marrëdhënieve të mbrojtjes, Indo-Paqësorin dhe shmangien e rrezikut nga Kina, veçanërisht për Evropën.

Shtrirje e re gjeopolitike?

Mbi 6,000 kompani evropiane janë të pranishme në Indi dhe tregtia e mallrave është rritur me pothuajse 90% gjatë dekadës së fundit. Sipas Komisionit Evropian, BE në tërësi është tani partneri më i madh tregtar i Indisë, përpara SHBA-së dhe Kinës. Në vitin 2023, eksportet dhe importet në bllokun evropian përbënin 124 miliardë euro, ose 12.2% të tregtisë totale indiane.

Kjo vizitë shënon një moment historik në marrëdhëniet BE-Indi, sepse pasqyron një njohje reciproke të autoritetit global në rritje të njëri-tjetrit dhe një shtytje për ta kthyer atë në veprim, qoftë përmes marrëveshjeve tregtare, teknologjike, apo një shtrirjeje më të fortë gjeopolitike”, shpjegojnë analistët.

"Në një botë që premton të jetë kaq e paqëndrueshme dhe e pasigurt, një marrëdhënie më e fortë Indi-BE mund të jetë faktor i rëndësishëm stabilizues," shtojnë ata.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Shqipëria 18 Mars Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo ditë për valutat kryesore?

Dollari amerikan edhe pse me një rënie të ;lehtë nga dje e ka nisur ditën pozitivisht në rritje duke u blerë këtë mëngjes me 90.8 lekë dhe duke u shitur me......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 18 Mars Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo ditë për valutat kryesore?

Dollari amerikan edhe pse me një rënie të ;lehtë nga dje e ka nisur ditën pozitivisht në rritje duke u blerë këtë mëngjes me 90.8 lekë dhe duke u shitur me......