Analiza Postuar më 9 Janar 2025, 15:49

Rritja e forcave konservatore në Kanada - Shkaqet e rrëzimit nga pushteti të ish-kryeministrit Justin Trudeau

Nga Kristi Ceta

Rritja e forcave konservatore në Kanada - Shkaqet e rrëzimit nga

Popullariteti i Partisë Konservatore në Kanada është rritur për shkak të tensioneve ekonomiko-politike dhe emigracionit, duke ofruar një alternativë të besueshme për zgjedhjet e ardhshme. Konservatorët kanë premtuar ndryshime të mëdha, duke përfshirë uljen e taksave dhe kontrolle më të rrepta kufitare.

Justin Trudeau ka qenë kryeministër i Kanadasë që nga nëntori 2015, më gjatë se çdo lider tjetër i një demokracie të madhe perëndimore. Por një seri tensionesh politike, duke përfshirë dorëheqjen e ministrit të tij të financave, një prej aleatët të tij më të ngushtë, e kanë çuar drejt dorëheqjes së pushtetit.

Zgjedhjet e përgjithshme duhet të zhvillohen deri në tetor; Sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se liberalët përballen me vështirësi për të kapërcyer pakënaqësinë për çështje të tilla si kostoja e jetesës dhe emigracioni. Kjo i ka hapur derën Partisë Konservatore të Kanadasë, të udhëhequr nga Pierre Poilievre, për të rimarrë pushtetin.

Pse po rritet popullariteti i Partisë Konservatore?

Sondazhet tregojnë se kanadezët duan ndryshim dhe ata janë të pakënaqur me ekonominë nën udhëheqjen e Trudeau. Produkti i Brendshëm Bruto i Kanadasë është tkurrur për gjashtë tremujorë radhazi mbi bazën për frymë. Kjo është një rënie prej 3.5% nga kulmi në vitin 2022, diçka që nuk është parë kurrë jashtë një recesioni. E vetmja gjë që parandalon një recesion të drejtpërdrejtë është rritja e shpejtë e popullsisë, kryesisht për shkak të emigracionit.

Papunësia po rritet. Pagat nuk mund të përputhen me çmimet e ushqimeve. Ëndrra për pronësinë e shtëpisë duket se është e paarritshme për shumë të rinj kanadezë, një faktor kyç votimi që ndihmoi në zgjedhjen e Trudeau.

Konservatorët janë mbështetur mbi këto ankesa. Ata fajësojnë politikën e Trudeau për më shumë hapje ndaj emigracionit, për taksat mbi emetimet e karbonit dhe jetesën më të shtrenjtë. Poilievre u përqendrua te inflacioni dhe strehimi edhe para se të bëhej kreu i partisë më shumë se dy vjet më parë, dhe ka qenë i konstant për këtë çështje.

Ku kanë ngecur liberalët?

Gjatë nëntë viteve të tij në pushtet, Trudeau ka përballuar disa polemika, duke përfshirë akuzën se ai u përpoq të bindte prokuroren e tij të përgjithshme, një grua indigjene, të ndërhynte për të ndihmuar një firmë të madhe inxhinierike t'i shpëtonte një hetimi kriminal e më pas e largoi kur ajo e refuzoi detyrën.

Në korrik 2023, me rënien e popullaritetit të tij, Trudeau ndryshoi kabinetin, duke hequr disa ministra të vjetër, por masa nuk arriti rezultatet e pritura. Partia e tij Liberale humbi tre zgjedhje speciale në 2024, duke përfshirë dy në Toronto dhe Montreal që konsideroheshin prej kohësh vende të sigurta.

Pse emigracioni është kaq i rëndësishëm?

Emigracioni prek çështjet kryesore të votuesve: ekonominë, strehimin, vendet e punës, shërbimet publike dhe infrastrukturën. Mbështetja e Kanadasë për të ardhurit e rinj ishte e rrënjosur thellë në bindjen se ka një përfitim nga emigracioni. Por më shumë kanadezë kanë filluar ta vënë në dyshim këtë ide pasi rregullat e imigracionit u liruan pas pandemisë Covid-19. Qeveria lehtësoi kufizimet për punëtorët e huaj të përkohshëm dhe disa qeveri provinciale lejuan një fluks studentësh ndërkombëtarë. Rezultati ishte një zgjerim i rritjes së popullsisë në më shumë se 3% në vit.

Për herë të parë që nga viti 1998, pjesa më e madhe e kanadezëve tani thonë se ka më shumë emigracion seç duhet. Flukset hyrëse rekord kanë përkeqësuar mungesën e banesave, kanë rritur qiratë dhe kanë kontribuar në rritjen e shkallës së papunësisë. Edhe Trudeau, politika e të cilit prej vitesh ka kërkuar të rrisë nivelin e emigracionit, tani dëshiron ta reduktojë atë.

Rregullat më të rrepta të qeverisë në këtë sektor kanë filluar të ngadalësojnë rritjen e popullsisë. Poilievre ka thënë se do të lidhë nivelet e emigracionit me strehimin, vendet e punës dhe kapacitetin e kujdesit shëndetësor. Ai gjithashtu ka premtuar të heqë taksën federale të shitjeve për blerjen e shtëpive të reja nën 1 milion dollarë kanadezë dhe t’i japë fund një programi të Trudeau që transferoi miliarda dollarë në qytete për të nxitur ndërtimin e shtëpive me shumë njësi.

Nga cilat çështje të tjera kanë përfituar konservatorët?

Kërcënimi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për të vendosur tarifa të gjera për produktet kanadeze është rreziku më i madh ekonomik i vendit.

Poilievre është përpjekur të pozicionohet si më i fortë në kufi se Trudeau, duke u përpjekur të adresojë shqetësimet e ngritura nga Trump për drogën dhe emigrantët.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat