Analiza Postuar më 9 Shtator 2026, 12:00

LNG, në “grackën” e Hormuzit - Katari dhe Emiratet kërkojnë rrugë alternative. Eksportet bien, kostot e transportit rriten

Nga Edel Strazimiri

LNG, në “grackën” e Hormuzit - Katari dhe Emiratet

Ngushtica e Hormuzit vazhdon të mbetet pika më e dobët për furnizimet globale me gaz të lëngshëm natyror. Gjashtë muaj pas bllokadës së rrugës detare, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po përdorin zgjidhje emergjente për të mbajtur eksportet në lëvizje, ndërsa flukset e LNG-së mbeten shumë poshtë niveleve të para konfliktit.

Tre ngarkesa të LNG-së janë transferuar së fundmi nga një anije në tjetrën, në operacione të njohura si STS – ship-to-ship, pranë brigjeve të Omanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ngarkesat u zhvendosën përpara se të vijonin drejt blerësve në Azi.

Operacionet janë përdorur kryesisht për anije që nuk mund të përfundonin normalisht udhëtimin e tyre. Por kjo zgjidhje emergjente ka një çmim të lartë. Transferimi i LNG-së nga një anije në tjetrën është shumë më kompleks sesa transferimi i naftës. Gazi natyror i lëngshëm duhet të ruhet në rreth minus 162 gradë Celsius, çka kërkon pajisje të posaçme kriogjenike, rimorkiatorë, masa sigurie dhe personel të specializuar.

Një operacion i tillë mund të zgjasë deri në 35 orë dhe të shtojë më shumë se 1 milion dollarë kosto për çdo transferim. Për më tepër, mbajtja e LNG-së në bord për periudha të gjata krijon humbje të mundshme nga avullimi i gazit dhe bllokon kapacitetin e anijeve.

Për këtë arsye, transferimet anije-në-anije nuk janë praktikë e zakonshme në tregtinë e LNG-së. Ato përdoren kryesisht në situata emergjente, kur një anije nuk mund të vazhdojë rrugën e saj.

Problemi është veçanërisht i madh për Katarin. Kompleksi industrial i Ras Laffan është një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit dhe eksportit të LNG-së në botë. Para konfliktit, aty ngarkoheshin rreth 140 deri në 150 ngarkesa LNG në muaj.

Por pothuajse i gjithë ky gaz duhet të kalojë përmes Hormuzit për të arritur në tregjet ndërkombëtare. Ndryshe nga nafta, për LNG-në nuk ekziston një rrugë alternative në shkallë të gjerë.

Pasojat janë të dukshme në shifrat e eksporteve. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, dërgesat e LNG-së nga Katari dhe Emiratet ranë me rreth 35 miliardë metra kub nga marsi në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm Katari eksportoi 18 ngarkesa LNG gjatë gjashtë muajve të parë të konfliktit, kundrejt 509 ngarkesave në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rënie prej rreth 96%.

Humbjet financiare janë po aq të mëdha. Vlerësohet se Katari ka humbur rreth 24 miliardë dollarë nga shitjet e gazit gjatë kësaj periudhe. Kompania QatarEnergy ka deklaruar forcë madhore për disa dërgesa, ndërsa anulimet mund të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm.

Megjithatë, mungesa nga Gjiri nuk është reflektuar plotësisht në furnizimin global. Prodhuesit e tjerë kanë rritur eksportet dhe po përpiqen të mbushin boshllëkun e krijuar.

Sipas IEA-së, prodhimi i LNG-së jashtë Gjirit u rrit me pothuajse 18%, ose rreth 27 miliardë metra kub, nga marsi në qershor. Amerika e Veriut dhe Afrika ishin ndër rajonet që rritën furnizimin, të ndihmuara nga projekte të reja dhe përdorimi më i madh i kapaciteteve ekzistuese.

Kjo rritje ka kompensuar rreth tre të katërtat e rënies së eksporteve nga Katari dhe Emiratet, por nuk ka eliminuar presionin në treg. Çmimet e gazit vazhdojnë të qëndrojnë mbi nivelet e para konfliktit. Në qendër të krizës mbetet pikërisht Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme energjetike të planetit. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë zakonisht kalon përmes kësaj rruge ujore.

Emiratet kanë mundësi të anashkalojnë Hormuzin për një pjesë të eksporteve të naftës përmes tubacionit drejt Fujairahut. Por për LNG-në nuk ekziston një infrastrukturë e ngjashme që të mund të zëvendësojë transportin detar.

Ndërkohë, po zhvillohen edhe përpjekje diplomatike për të rikthyer pjesërisht lirinë e lundrimit. Katari dhe Irani kanë diskutuar krijimin e një korridori të përkohshëm transporti dhe pastrimin e mundshëm të minave nga rruga ujore.

Nëse trafiku normal nuk rikthehet, presioni mbi eksportuesit e Gjirit pritet të vazhdojë. Për Katarin, sfida është veçanërisht e madhe, pasi modeli i tij ekonomik dhe pozicioni si një prej furnizuesve kryesorë të LNG-së në botë varen nga aftësia për ta nxjerrë gazin në tregjet ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat