Analiza Postuar më 2 Maj 2025, 15:17

Llogaritja Kuantike dhe AI janë e ardhmja - Nëse bashkohen do të revolucionarizojnë mënyrën si funksionon bota

Nga Lidion Kulla

Llogaritja Kuantike dhe AI janë e ardhmja - Nëse bashkohen do të

Llogaritja kuantike dhe inteligjenca artificiale (AI) janë dy nga teknologjitë më transformuese të kohës që po jetojmë sot. Të ndara, secila ofron përparime thelbësore në fuqinë përpunuese dhe aftësitë vendimmarrëse. Së bashku, ato mund të revolucionarizojnë industri të ndryshme dhe kërkimet shkencore.

“Kompjuterët kuantikë... me siguri do të çojnë në të gjitha llojet e të kuptuarit dhe zhvillimit në një diapazon më të gjerë. Pra, nëse flasim për molekulat e ilaçeve ose materiale të reja, si dhe mënyrat e reja të analizimit dhe kërkimit nëpër grupe të mëdha të dhënash”, deklaroi profesori David Lucas, i Departamentit të Fizikës në Universitetin e Oksfordit.

Ekipi i Lucas ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara në këtë drejtim, duke ndërlidhur me sukses dy procesorë kuantikë të veçantë, për të krijuar një kompjuter të vetëm kuantik; duke ofruar një zgjidhje të mundshme për shkallëzimin e teknologjisë së sapolindur.

“Kjo është arsyeja pse njerëzit janë kaq të interesuar në llogaritjen kuantike. Në nivelin themelor teorik, është një mënyrë krejtësisht e ndryshme për të manipuluar informacionin dhe është, nga ajo që dimë për ligjet e fizikës, lloji më i fuqishëm i përpunimit të informacionit që mund të bëjmë”, shpjegon Lucas.

Kompjuterët kuantikë përdorin “quantum bits”, ose “qubits”, të cilët mund të përfaqësojnë njëkohësisht numrat 0 dhe 1, për shkak të një fenomeni të njohur si mbivendosje. Një tjetër veçori që mund të përdorin kompjuterët kuantikë është ngatërrimi, që ndodh kur dy “qubits” janë të lidhur në atë mënyrë që gjendja e njërit të jetë e lidhur ngushtë me gjendjen e tjetrit, pavarësisht nga distanca. Në fakt, këto karakteristika i lejojnë kompjuterët kuantikë të zgjidhin probleme komplekse shumë më shpejt se kompjuterët tradicionalë.

Arritja e ekipit të Oksfordit e çon këtë shkencë një hap më tej, duke demonstruar shembullin e parë të llogaritjes kuantike të shpërndarë. Duke ndërlidhur pajisjet e vogla kuantike, ato kanë mundësuar që llogaritjet të shpërndahen në të gjithë rrjetin, teorikisht pa ndonjë kufi në numrin e procesorëve që mund të instalohen, duke zgjidhur potencialisht problemin e ‘shkallëzimit’, sipas udhëheqësit të studimit, Dougal Main.

“Ajo që ne treguam është se mund të ndajnë një nga këta kompjuterë të mëdhenj kuantikë në disa module më të vogla dhe t'i ndërlidhim duke përdorur këto lidhje me fibra optike. Avantazhi i kësaj është se mund të ruajmë më pas kompleksitetin e reduktuar të procesorit më të vogël kuantik. Në këtë mënyrë, këta procesorë do të veprojnë së bashku për të formuar një kompjuter kuantik të vetëm, plotësisht të ndërlidhur”, tha Main.

Natalia Ares, Profesore e Asociuar në Departamentin e Inxhinierisë në Universitetin e Oksfordit, shtoi se teknologjitë kuantike mund të jenë një ndryshim i lojës për Inteligjencën Artificiale, mbi mënyrën se si ne do të ndërtojmë kompjuterët e ardhshëm kuantikë dhe integrimin e Inteligjencës Artificiale në to.

“Ajo që ne bëjmë është t'i kërkojmë kompjuterëve të thotë:, “shiko, kjo është pajisja ime, bëje të funksionojë, gjej parametrat e duhur”. Dhe ajo që kemi parë deri më tani është fantastike. Fillojmë me një çip dhe algoritmet e makinerive që mësojnë mund të kalojnë në një moment të funksionimit në kushte optimale”, shpjegon Ares.

Ajo shtoi se Inteligjenca Artificiale, jo vetëm që po i ndihmon ata të ndërtojnë teknologjinë kuantike, por nga ana tjetër të përmirësojë vetë Inteligjencën Artificiale.

“Ne besojmë se këto teknologji kuantike do t'i ofrojnë Inteligjencës Artificiale disa nga mjetet që ajo duhet të zhvillojë. Ne besojmë se kjo do të ndryshonte komplet lojën për AI, në mënyra që ne ende nuk mund t'i parashikojmë”, shtoi Ares.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve premtuese, Inteligjenca Artificiale kuantike ende përballet me sfida të mëdha. Kompjuterët kuantikë janë delikatë, që kërkojnë mjedise shumë të kontrolluara dhe nuk janë ende gati për të ekzekutuar modele të inteligjencës artificiale në shkallë të gjerë.

Përmirësimet në korrigjimin e gabimeve dhe stabiliteti i “qubits” po e bëjnë llogaritjen kuantike më të besueshme, por shumica e ekspertëve besojnë se jemi ende vite larg nga Inteligjenca kuantike plotësisht e realizuar.

“Duhet të qartësohemi se jemi ende shumë larg nga ajo që ne e quajmë “makineria universale”, një makinë universalisht e programueshme që kontrollohet aq mirë sa mund të korrigjojë të gjitha gabimet e veta dhe për këtë arsye mund të kryejë pa asnjë vështirësi llogaritje të gjata. Por, jemi ende shumë larg”, tha profesor Lucas.

Startup-et dhe firmat e mëdha të teknologjisë po zhvillojnë kërkime shkencore mbi kompjuterin kuantik, i cili mund të zgjidhë probleme komplekse që do t'u duheshin kompjuterëve konvencionalë mijëra ose miliona vjet, të tilla si parashikimi se si atomet dhe molekulat do të ndërveprojnë. Shkencëtarët shpresojnë të përdorin kompjuterat kuantike për të zhvilluar materiale të reja për bateri dhe ilaçe.

Në muajt e fundit, Google, Microsoft dhe Amazon kanë zhvilluar të gjithë çipa të rinj që i përshtaten kompjuterëve kuantikë. Nvidia, firma më e madhe në botë e çipave, tha kohët e fundit se do të krijojë një qendër kërkimore kompjuterike kuantike në Boston.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat